Gjykata Kushtetuese e Francës ka rrëzuar ligjin që ndalonte përdorimin e rrjeteve sociale për personat nën moshën 15-vjeçare, duke vlerësuar se masa cenonte në mënyrë të pajustifikuar lirinë e shprehjes dhe komunikimit.
Ligji, i miratuar nga ligjvënësit francezë në korrik, synonte të bëhej i pari në Evropë që ndalonte aksesin e të miturve nën 15 vjeç në platformat e mediave sociale. Nisma ishte mbështetur nga shqetësimet për ndikimin e mundshëm të rrjeteve sociale në shëndetin mendor të fëmijëve.
Vendimi i së premtes nga Këshilli Kushtetues e rrëzon këtë ndalim, i cili ishte planifikuar të zbatohej në mënyrë graduale duke nisur nga shtatori, siç kishte premtuar presidenti Emmanuel Macron, shkruan BBC, \.
Këshilli Kushtetues argumentoi se neni kryesor i ligjit përbënte një kufizim ndaj lirisë së shprehjes dhe komunikimit për nën-15-vjeçarët, i cili nuk ishte “i përshtatshëm, i nevojshëm dhe proporcional”.
Gjithashtu, gjykata shprehu shqetësime për kërkesën që përdoruesit të dëshmonin moshën e tyre për të pasur akses në shërbimet online, duke vlerësuar se ligji nuk garantonte masat e nevojshme ligjore për mbrojtjen e të drejtave.
Pas vendimit, presidenti Macron i kërkoi menjëherë kryeministrit Sébastien Lecornu të përgatisë një projektligj të ri, duke marrë parasysh vërejtjet e Këshillit Kushtetues.
Zyra e Macron deklaroi se qeveria franceze do të punojë “sa më shpejt të jetë e mundur” për një draft të ri, ndërsa presidenti mbetet i vendosur që reforma të zbatohet deri në fillim të vitit 2027.









