Martesa e 86-vjeçarit me shqiptaren ndalet nga gjykata në Itali: Dashuri apo interes? (VIDEO)

Një martesë mes një 86-vjeçari italian dhe një 51-vjeçareje me origjinë shqiptare, ka ngritur dyshimet në autoritetet në Firence. Dyshimet lidhen me gjendjen e të moshuarit, transaksionet financiare dhe paqartësisë rreth pasurisë së tij.

Gazetarja e Klan Kosova, Dafina Jegeni tha se ky fenomen po shndërrohet në trend.

“Nëse i referohemi vendit tonë, në vendet shqipfolëse është shpeshtuar, është bërë si trend, por a duhet të gjykohet në të gjitha rastet? Ndoshta jo… Në rastin të cilin po flasim në Itali, a duhet me i pengu me iu hy në jetën personale? Por këtu kur ka probleme që i ka ngrit hetuesia”, tha Jegeni në “Kosova Today”.

Sociologu Eduard Sopaj tha se nuk duhet të gjykohet diferenca në moshë, por vihet në pikëpyetje aftësia e të moshuarit për të vendosur për veten.

“Në aspektin për shkak të diferencës së moshës, mendoj që është krejt në rregull dhe nuk mundemi me gjyku as me paragjyku në këtë pjesë për shkak që martesa është diçka individuale. Problemi këtu është se personi është 86-vjeçar dhe a është në gjendje me vendos vetë për atë vendim apo iu ka imponu nga persona të tjerë?”, tha Sopaj.

Kurse Alba Kepi theksoi se veprimet e parregullta financiare vënë në dyshim qëllimet e martesës, duke potencuar se i moshuari u shpall nga ekspertiza psikologjike si person që nuk mund të mendojë dhe veprojë.

“Kemi veprime financiare të parregullta të kryera gjatë muajve të fundit dhe faktin që 86-vjeçari italian është shpallur person që nuk mund të mendojë dhe veprojë, kjo pasi që është marrë nga ekspertiza psikologjike”, tha Kepi.

Në anën tjetër, Besa Mahmuti tha se ky rast shërben si shembull i mirë që jo çdo lidhje duhet të romantizohet.

“Nuk është diçka e re kjo që ka ndodhë, por po lidhet me një akt të rëndë kriminal për shkak se ia ka shfrytëzu moshën, ia ka shfrytëzu vulnerabilitetin… Është rast i mirë me pa që nuk duhet të romantizohet patjetër çdo lidhje”, tha Mahmuti.

Ndiqeni debatin për këtë temë: