Zjarre masive në Ulqin dhe Herceg Novi

Zjarrfikësit në Mal të Zi, edhe këtë mëngjes po luftojnë për t’i vënë nën kontroll zjarret që kanë përfshirë Ulqinin dhe Herceg Novin.

Mediat në Mal të Zi raportuan se deri më tani, zjarrfikësit po arrijnë t’i mbrojnë objektet.

Gjatë natës, raportohet se era është dobësuar, por ekziston frika se mund të përforcohet sërish.

Televizioni “Vijesti” njofton se gjithsej gjashtë mjete fluturuese po marrin pjesë në fikjen e zjarreve në Bijella dhe Ulqin. Zjarret e mëdha që shpërthyen dje në Ulqin ende nuk janë lokalizuar, ndërsa si pasojë e zjarrit kjo komunë ka mbetur pa ujë.

“Zjarri vazhdon të jetë aktiv në disa lokacione. Gjithçka që digjej dje është ende aktive, por zjarri tani është në një fazë më të qetë. Të gjitha ekipet e zjarrfikësve janë në terren: përveç atyre të Ulqinit, aty janë edhe zjarrfikësit nga Tivari, ndihma nga Berane, Bijello Polja, si dhe ekipet e zjarrfikësve të Ushtrisë së Malit të Zi. Në terren tashmë është edhe helikopteri, aeroplani i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe helikopterët e Ushtrisë së Malit të Zi. Për momentin po i mbajmë zjarret nën kontroll dhe shpresojmë se do të mbetet kështu”, deklaroi për “Vijesti” Radomir Shqepanoviq nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Situata sipër Bijellës dhe Baoshiqit në Herceg Novi, ku prej tri ditësh vazhdon lufta me zjarrin e madh, mbetet e ndërlikuar, por zjarrfikësit po arrijnë ta mbajnë zjarrin larg shtëpive.

Mbrëmë është evakuuar edhe një familje tjetër.

Kreu i Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Kotorrit, Maksim Mandiq, deklaroi për “TV Vijesti” se për shkak të erës, e cila herë pas here ndryshon drejtim, është e vështirë të bëhen parashikime. Ai theksoi se terreni është shumë i vështirë për fikjen e zjarrit. /