Daja nis të mendojë direkt për Pafos: Na duhen edhe 2-3 lojtarë që bëjnë diferencën

Dinamo bëri një tjetër hap të rëndësishëm në Europë, duke përmbysur humbjen e ndeshjes së parë 1-0 dhe duke mposhtur 4-0 Auda në “Elbasan Arena”. Pas kualifikimit në “play-off”-in e “Conference League”, Ilir Daja vlerësoi karakterin e të tijve, por paralajmëroi edhe nevojën për përforcime para sfidave të radhës:

“Përballë kishim një ekip të fortë, me individë cilësorë. Në ndeshjen e parë ata kishin bërë një hap drejt fitores dhe kjo e rrit edhe më shumë kënaqësinë. Sot në fushë ishin vetëm djemtë e Dinamos. E nisën dhe e mbyllën ndeshjen me sakrificë, impenjim dhe gjithçka që e çon një ekip drejt fitores.

Të gjithë së bashku jemi krenarë. Është viti i dytë që shkojmë në ‘play-off’-in e ‘Conference League’, pasi kemi kaluar Astana, Aljumini dhe Auda, ekipe të forta. Po rrisim edhe koeficientin. Dinamo kishte 15 vite që nuk merrte pjesë në eliminatoret europiane. Kur rritet koeficienti, të favorizon edhe shorti. Në një të ardhme të afërt mund të jemi në vazot e favoritëve.

Për të shkuar në eliminatoret e kompeticioneve europiane duhet të punosh gjatë gjithë vitit. Sekreti është puna shumë e madhe dhe pushimi shumë i vogël që lojtarët kanë bërë. Kemi nisur menjëherë përgatitjet. Asgjë nuk vjen rastësisht. Edhe fati duhet të jetë pjesë e lojës, por ne e kemi kërkuar. Është puna ajo që të çon në këto nivele.

Tani Pafos? Një ekip i fortë. Ndeshja e vitit të kaluar shkoi 2-0 për Pafos, një skuadër që ishte në grupet e Champions-it dhe që i hapi probleme një ekipi shumë të fortë si Salzburgu. Duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse përballë kemi një nga ekipet më të forta të kësaj faze.

Do të kërkojmë të japim maksimumin dhe më pas të shohim çfarë do të ndodhë. Jemi një ekip që është rindërtuar gjatë merkatos së verës dhe na duhet kohë për t’u përballur sa më mirë me skuadrat e këtij niveli. Do të bëjmë gjithçka për të dhënë më të mirën në play-off.

Kampionati është në prag të fillimit dhe duhet të mendojmë edhe për objektivat afatgjata. Na duhen 2-3 lojtarë të tjerë që të bëjnë diferencën. Duhet të përballojmë dëmtimet dhe kartonët. Besoj se do të na sjellin edhe 2-3 lojtarë të tjerë. Deri më 31 gusht duhet të jemi aktivë për ta përforcuar grupin, jo në sasi, por në cilësi”.