Egnatia realizoi përmbysjen spektakolare ndaj Shamrock Rovers dhe siguroi një tjetër hap të madh në Europë. Pas ndeshjes, trajneri Nevil Dede vlerësoi ekipin e tij, foli për zgjedhjet taktike që sollën suksesin dhe zbuloi se rrogozhinasit nuk do të hyjnë të dorëzuar në përballjen e radhës me Lillestrøm:
“Kam qenë në një mendje me presidentin tonë, që kur fituam ‘Final Four’, fjalia e parë që kemi thënë direkt është qe jemi për grupet. Ia dolëm, jam i bindur që shpërdoruam një ndeshje në Irlandë, kam pishmanet e mia, por gjithsesi zgjedhjet bëhen për mirë, por nuk është se dalin gjithmonë. Mund të gabohet ndonjëherë koha dhe momenti. Mendoj se kjo fitore është për të gjithë futbollin shqiptar, jo vetëm për ne. Mungojmë për shumë vite, është një reklamë, besoj se është e mirë për të gjithë. Mora lajmin që edhe Dinamo kaloi, shpresojmë që të jemi dy këtë vit.
Isha i bindur që me këtë vendosje mund t’ia dilnim. Albanese besoj ishte çelësi dhe rotacionet e Fernandos me grupin mund të bënim më mirë, sidomos në pjesën e parë. Besoj që kjo mund të hyjë në një nga ndeshjet perfekte. Sigurisht kisha marrë parasysh konsumin në 4-4-2 me romb, por kur shpërblehesh shpesh mund ta menaxhosh më kollaj situatën.
Më dha të drejtë Adjesa jo vetëm mua. Unë kam shumë shpresa tek ai, si klubi, ka zëvendësuar më së miri Bakayko. Alba besoj se ka bërë një ndeshje perfekte me ato detyra e karakteristika që ka.
Mendoj që kjo skuadër përgjigjet dhe më ndjek gjatë gjithë kohës dhe në një ndeshje jo të mirë në Irlandë. Prapë ndërtuam e krijuam rastet tona, është e vërtetë që kemi pësuar shumë gola, si edhe kemi shënuar shumë. Jam një trajner që dua të kem shumë forca para dhe patjetër ka konsum të madh energjish e lodhje. E rëndësishme është shprehja e dikujt, rëndësi ka të fitojmë me një gol më shumë se kundërshtari.
Organika e ekipit? Mund të them numër i bollshëm, por nuk e them dot, sa i përket mbrojtjes jemi të mbuluar. Po përdorim Ajetin, mendoj se është një përgjigje që duhet ta japë klubi, jo Nevili. Unë mund të bëj kërkesa pa fund, por… jemi në mes të gushtit dhe zgjidhjet nuk janë të lehta. Unë falënderoj kapitenin Aleksi, ka duruar në stol për zgjedhje taktike. Por në fund fare sot, spiranca e anijes sonë ishte ai. E vërteta është që 6 dhe 10 jonë ishin lojtarët perfekt. Funksionimi i të gjitha zgjidhjeve të mira ishin këta të dy.
Do luajmë me Lilestrom, do e provojmë, pse jo. Nuk jemi inferiorë, nuk e shohim të tillë veten, edhe pse po shohim klubet norvegjeze që po ecin mirë. Do ta provojmë, edhe para Celjes pretendonim të shkonim në ‘play-off’ të Champions-it. T’i shtrijmë këmbët sa kemi jorganin. A mundemi? Do ta provojmë dhe pastaj shohim! Ekipi ynë ndeshjen e dytë e ka bërë gjithmonë më të mirë se të parën.
Ne e humbëm kualifikimin e Champions-it këtu, në sfidën e dytë gjithmonë kemi qenë më mirë. Nuk mund të them që ishim superiorë, por shumë të fortë. Duhet të lavdëroj djemtë për këtë dhe një nga armët më të forta është që ndeshjet e kthimit janë bërë më mirë. Listë merkatoje për presidentin? Ai jeton ‘non stop’ me ne, 24 në 24. Patjetër i di dëshirat. Disa pozicione janë të padubluara, kështu që…”









