Egnatia nuk kënaqet me sigurimin e një vendi në fazën e grupeve të kompeticionit fundor europian për klubet. Pas kualifikimit në “play-off”-in e Ligës së Europës, falë fitores 5-1 ndaj Shamrock Rovers, presidenti Agim Demrozi e ka ngritur menjëherë stekën: objektivi i radhës është “Europa League”:
“Unë i kam mbajtur gjithmonë premtimet. Kur e mora Egnatian, thashë se për tri vite do ta çoja në Europë dhe e çova. Tani presim Champions-in, unë e mbaj fjalën. Emocioni është i paparashikueshëm, faleminderit çunave. Na penalizoi pak dalja me karton të kuq në pjesën e dytë, por e merituam suksesin.
Egnatia është një ekip solid, i ndërtuar për të fituar. Mund të ndërrosh trajnerë, pjesëtarë të stafit apo të largohen lojtarë, por ne marrim më të mirët. Kjo nuk na penalizon. Sekreti është shumë i thjeshtë: punë pa llafe. Tek Egnatia ka punë, nuk ka llafe.
Grupet? Ne do të tentojmë deri në fund. Besoj se çunat do të na çojnë në ‘Europa League’ këtë vit, jo në ‘Conference League’. Skuadra do të punojë në vazhdim për këtë objektiv”.

200 mijë euro shpërblim për suksesin
Agim Demrozi nuk është kursyer pas suksesit historik të Egnatias. Presidenti i klubit rrogozhinas ka mbajtur premtimin e dhënë pas titullit të tretë radhazi kampion, duke akorduar të paktën 200 mijë euro shpërblime për lojtarët dhe stafin për arritjen e madhe europiane.
Egnatia shkroi historinë duke siguruar një vend në fazën e grupeve të një kompeticioni europian. Rrogozhinasit eliminuan Shamrock Rovers në turin e tretë të Ligës së Europës, duke përmbysur humbjen 3-1 të pësuar në Irlandë me një fitore spektakolare 5-1 në shtëpi.
Një sukses që i jep Egnatias një tjetër dimension në arenën ndërkombëtare dhe që shpërblehet edhe financiarisht nga presidenti Demrozi. Tashmë, rrogozhinasit kanë kthyer vëmendjen te sfida e radhës. Përballë tyre do të jetë Lillestrøm, skuadra që përfaqëson Norvegjinë, në një tjetër përballje europiane që premton shumë.









