Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka përshëndetur qëndrimin e sotëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos marrë pjesë në qeverisje me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.
Gjini ka thënë se Aleanca prej kohësh ka paralajmëruar, siç e quan ai, “lojën e pandershme” të Kurtit dhe partisë së tij.
“Prandaj, qëndrimi i sotëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës për të mos marrë pjesë në qeverisje me Kurtin është i drejtë dhe parimor dhe si të tillë e përshëndes”, ka shkruar Gjini.
Sipas tij, Kurti synon të ketë kontroll të plotë mbi institucionet dhe shtetin, të cilin, siç shprehet Gjini, “po e degradon çdo ditë”.
“Aleanca mbetet e qartë. Kosova nuk guxon të kontrollohet nga një njeri, si dhe cilado qeveri e ardhshme duhet të pranojë: 1. Gazin amerikan, 2. Të ndërtojë kapacitete energjetike, 3. Ta përfundojë infrastrukturën kryesore, 4. Ta ngrisë pragun e TVSH për bizneset e vogla, 5. T’i lirojë bujqit nga tatimi në prone, 6. Të investojë në kryeqytet.”, ka shkruar Gjini. /








