Drejtori i shkollës – lider i cilësisë dhe zhvillimit institucional

Shkruan: Burim Gjaka

“Një shkollë e mirë nuk ndërtohet rastësisht. Ajo ndërtohet nga njerëz që udhëheqin me vizion, integritet dhe përgjegjësi.”

Në çdo sistem arsimor, shkolla është vendi ku politikat arsimore marrin kuptimin e tyre real. Ligjet, strategjitë, kurrikulat, udhëzimet administrative dhe dokumentet e ndryshme mund të hartohen në nivel qendror apo lokal, por cilësia e tyre matet në fund të fundit në klasë, në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe në rezultatet që arrijnë nxënësit.

Në qendër të këtij procesi qëndron drejtori i shkollës.

Roli i tij nuk mund të reduktohet në nënshkrimin e dokumenteve, administrimin e stafit apo zgjidhjen e problemeve të përditshme. Drejtori është udhëheqës i institucionit, bartës i vizionit të tij dhe një nga faktorët kryesorë që përcakton kulturën organizative të shkollës. Një shkollë mund të ketë objekt të mirë, pajisje moderne dhe dokumente të hartuara me kujdes, por nëse mungon një udhëheqje e aftë për të mobilizuar njerëzit, për të krijuar besim dhe për ta orientuar punën drejt një qëllimi të përbashkët, potenciali i saj mbetet i pashfrytëzuar. Prandaj, kur flasim për ngritjen e cilësisë në arsim, duhet të flasim seriozisht për cilësinë e udhëheqjes së shkollës.

Nga administratori te lideri i shkollës

Për një kohë të gjatë, figura e drejtorit të shkollës është parë kryesisht si figurë administrative. Ai është konsideruar personi përgjegjës për dokumentacionin, orarin, disiplinën, menaxhimin e stafit dhe komunikimin me institucionet e tjera. Këto përgjegjësi janë të rëndësishme dhe mbeten pjesë e pandashme e punës së drejtorit. Por një shkollë nuk mund të udhëhiqet vetëm përmes administrimit. Administrimi kujdeset që institucioni të funksionojë. Lidershipi kujdeset që institucioni të ecë përpara.Kjo është një nga dallimet më të rëndësishme që duhet të kuptohet në arsimin bashkëkohor.

Drejtori nuk duhet të jetë vetëm personi që pyet nëse janë dorëzuar raportet, nëse është plotësuar dokumentacioni apo nëse është respektuar orari. Ai duhet të jetë personi që ngre pyetjet më të rëndësishme për shkollën:

  • Ku jemi sot si institucion?
  • Çfarë po bëjmë mirë?
  • Ku kemi mangësi?
  • Çfarë na tregojnë rezultatet e nxënësve?
  • A po mësojnë nxënësit në mënyrën e duhur?
  • A po mbështeten mësimdhënësit për t’u zhvilluar profesionalisht?
  • Çfarë duhet të ndryshojmë?
  • Ku dëshirojmë të jemi pas tre apo pesë vjetësh?

Këto nuk janë thjesht pyetje teorike. Ato duhet të jenë pjesë e kulturës së përditshme të një shkolle që synon zhvillimin. Një drejtues i mirë nuk pret që problemet të bëhen kriza. Ai përpiqet t’i identifikojë ato me kohë, të analizojë shkaqet dhe të ndërmarrë hapa për përmirësim. Në këtë kuptim, drejtori nuk është vetëm menaxher i së tashmes, por edhe ndërtues i së ardhmes së shkollës.

Vizioni- pika nga fillon zhvillimi

Asnjë institucion nuk mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme nëse nuk e di se ku dëshiron të arrijë.Vizioni nuk duhet të mbetet një fjali e vendosur në mur, në Planin Zhvillimor të Shkollës apo në ndonjë dokument që hapet vetëm gjatë inspektimit.Vizioni duhet të jetë i gjallë.Ai duhet të reflektohet në vendimet që merren, në prioritetet që përcaktohen dhe në mënyrën se si organizohet puna.Drejtori ka përgjegjësinë kryesore për ta kthyer vizionin e shkollës në një drejtim të përbashkët.

Kjo nuk do të thotë që drejtori duhet ta ndërtojë vizionin i vetëm. Përkundrazi, një vizion i qëndrueshëm krijohet me pjesëmarrjen e mësimdhënësve, nxënësve, prindërve dhe komunitetit.Por dikush duhet ta mbajë gjallë atë vizion. Dikush duhet të kujtojë vazhdimisht se përse po bëhet një punë, cilit qëllim i shërben dhe çfarë rezultati pritet të arrihet. Ky është një nga rolet më të rëndësishme të liderit të shkollës. Një drejtori që punon vetëm për të zgjidhur problemet e ditës, pa menduar për drejtimin afatgjatë të institucionit, rrezikon ta mbajë shkollën në një gjendje të vazhdueshme reagimi.

Ndërsa një lider me vizion e zhvendos shkollën nga pyetja: “Si ta kalojmë këtë problem?” te pyetja: “Çfarë duhet të ndërtojmë që ky problem të mos përsëritet?”Kjo është diferenca ndërmjet menaxhimit të situatave dhe udhëheqjes së zhvillimit.

Drejtori dhe kultura e shkollës

Çdo shkollë ka kulturën e saj. Në disa shkolla mbizotëron bashkëpunimi, komunikimi dhe besimi. Në të tjera mund të dominojnë individualizmi, frika nga gabimi, mungesa e komunikimit apo rezistenca ndaj ndryshimit. Kultura e një shkolle nuk krijohet brenda një dite. Ajo ndërtohet gradualisht përmes sjelljeve, marrëdhënieve, vendimeve dhe mënyrës se si njerëzit trajtohen. Drejtori ka ndikim të jashtëzakonshëm në këtë proces. Nëse drejtori komunikon me respekt, edhe kultura e komunikimit në shkollë ka më shumë gjasa të jetë e respektueshme. Nëse ai dëgjon stafin dhe krijon hapësirë për mendime të ndryshme, mësimdhënësit ndihen më të përfshirë.Nëse drejtori kërkon përgjegjësi, por në të njëjtën kohë ofron mbështetje, krijohet një kulturë profesionale dhe jo një kulturë frike. Nëse çdo gabim trajtohet vetëm si arsye për ndëshkim, njerëzit fillojnë t’i fshehin problemet.

Por nëse gabimi analizohet edhe si mundësi për të mësuar, institucioni fillon të zhvillojë një kulturë reflektimi dhe përmirësimi. Një shkollë cilësore nuk është shkollë ku nuk ndodhin probleme.Është shkollë ku problemet identifikohen, diskutohen dhe trajtohen në mënyrë profesionale. Dhe drejtori është personi që duhet të krijojë klimën ku kjo është e mundur.

Lidershipi pedagogjik-drejtori duhet të jetë pranë procesit mësimor

Një nga dimensionet më të rëndësishme të udhëheqjes moderne të shkollës është lidershipi pedagogjik.Kjo nënkupton që drejtori nuk mund të jetë i shkëputur nga ajo që ndodh në klasë.Sigurisht, ai nuk mund dhe nuk duhet ta zëvendësojë mësimdhënësin. Por duhet ta njohë procesin mësimor, të kuptojë sfidat e stafit dhe të ketë informacion mbi cilësinë e mësimdhënies dhe të nxënit.Vizitat në orë mësimore, diskutimet profesionale, analizimi i rezultateve të nxënësve dhe bashkëpunimi me aktivet profesionale nuk duhet të shihen si procese kontrolli formal.Qëllimi i tyre duhet të jetë përmirësimi.

Drejtori duhet të jetë në gjendje të identifikojë nevojat për zhvillim profesional dhe të krijojë mundësi që mësimdhënësit të mësojnë nga njëri-tjetri. Një nga pyetjet më të rëndësishme që një drejtues duhet t’ia bëjë vetes nuk është vetëm: “A e kryen mësimdhënësi punën e tij?” por: “Çfarë mund të bëjmë si shkollë që mësimdhënësi ta kryejë punën e tij edhe më mirë?” Ky ndryshim në qasje është thelbësor.Vlerësimi pa mbështetje krijon presion.Mbështetja pa kërkesë për përgjegjësi krijon rehati.Një udhëheqje e mirë duhet t’i kombinojë të dyja: standardet e qarta dhe mbështetjen profesionale.

Udhëheqja e njerzve, jo vetm proceseve

Shkolla nuk është një institucion që funksionon vetëm me rregullore. Ajo funksionon me njerëz. Mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe stafi tjetër kanë nevoja, pritje, shqetësime dhe ide të ndryshme. Pikërisht për këtë arsye, udhëheqja e shkollës kërkon më shumë sesa njohuri administrative. Ajo kërkon inteligjencë emocionale, aftësi komunikimi dhe aftësi për të ndërtuar marrëdhënie profesionale. Një drejtor nuk mund të jetë gjithmonë personi më i popullarizuar në shkollë. Shpesh duhet të marrë vendime të vështira dhe jo gjithmonë të pranueshme për të gjithë. Por ai duhet të jetë i drejtë.

Stafi mund të mos pajtohet gjithmonë me një vendim, por duhet të ketë besim se vendimi është marrë mbi baza profesionale dhe jo personale. Kjo është arsyeja pse transparenca dhe drejtësia janë elemente themelore të lidershipit. Favorizimi, komunikimi selektiv dhe standardet e dyfishta e dëmtojnë rëndë kulturën e një institucioni.Përkundrazi, drejtori që i trajton njerëzit me respekt, që dëgjon argumentet dhe që mban të njëjtat standarde për të gjithë, ndërton besim.Dhe pa besim nuk ka ekip. Pa ekip nuk ka zhvillim të qëndrueshëm.

Vendimmarrja e bazuar në të dhëna

Në shkollat moderne, vendimet nuk duhet të bazohen vetëm në përshtypje. Një drejtues mund të mendojë se një lëndë po zhvillohet mirë, por rezultatet mund të tregojnë diçka tjetër. Mund të mendohet se nxënësit kanë vështirësi vetëm në një klasë, ndërsa analiza e të dhënave mund të tregojë se problemi është më i gjerë.Prandaj, drejtori duhet të krijojë një kulturë të përdorimit të të dhënave.Rezultatet e nxënësve, mungesat, vonesat, rastet disiplinore, pjesëmarrja në aktivitete, vlerësimet e brendshme dhe rezultatet e testeve të ndryshme duhet të analizohen me kujdes.Por mbledhja e të dhënave nuk është qëllim në vetvete.

Pyetja kryesore është: Çfarë po na tregojnë këto të dhëna dhe çfarë duhet të bëjmë ndryshe?Nëse një shkollë mbledh raporte, por nuk i përdor ato për vendimmarrje, atëherë raportimi mbetet vetëm procedurë administrative.Një drejtues efektiv i përdor të dhënat për të identifikuar prioritetet, për të ndarë burimet dhe për të matur nëse ndërhyrjet e ndërmarra kanë prodhuar rezultat. Kjo e bën udhëheqjen më profesionale dhe më pak të varur nga përshtypjet personale.

Delegimi – aftësia për të ndërtuar ekip

Një nga gabimet më të zakonshme në drejtimin e institucioneve është bindja se drejtori duhet t’i bëjë të gjitha vetë.Asnjë shkollë nuk mund të zhvillohet nëse e gjithë përgjegjësia përqendrohet te një person.Një lider i mirë nuk përpiqet të jetë i domosdoshëm për çdo proces.Ai ndërton njerëz që marrin përgjegjësi.Delegimi nuk do të thotë heqje dorë nga përgjegjësia. Përkundrazi, do të thotë ndarje e përgjegjësive në mënyrë të organizuar, duke ruajtur koordinimin dhe llogaridhënien.Kur mësimdhënësve u jepet mundësia të udhëheqin aktivitete, grupe pune apo procese të caktuara, rritet ndjenja e përkatësisë dhe përgjegjësisë.Shkolla fillon të funksionojë si komunitet profesional dhe jo si institucion që varet vetëm nga një individ.

Lideri i mirë nuk pyet:“Si mund ta bëj këtë vetë?”Ai pyet: “Kush mund ta udhëheqë këtë proces dhe si mund ta mbështes?” Kjo është mënyra se si ndërtohet kapaciteti institucional.

Menaxhimi i ndryshimit

Ndryshimi është pjesë e pandashme e arsimit.Kurrikulat ndryshojnë, teknologjia zhvillohet, kërkesat e shoqërisë transformohen dhe nevojat e nxënësve bëhen gjithnjë e më komplekse.Por ndryshimi nuk ndodh automatikisht vetëm sepse është miratuar një dokument i ri.Çdo ndryshim kalon përmes njerëzve. Dhe njerëzit jo gjithmonë e pranojnë ndryshimin me të njëjtin ritëm.Këtu shfaqet një nga rolet më të vështira të drejtuesit të shkollës: udhëheqja e ndryshimit.

Një drejtues nuk duhet të imponojë ndryshimin vetëm përmes urdhrave. Ai duhet të komunikojë arsyet, të shpjegojë përfitimet, të dëgjojë shqetësimet dhe të krijojë mundësi që stafi të bëhet pjesë e procesit. Rezistenca ndaj ndryshimit nuk duhet gjithmonë të interpretohet si mungesë vullneti. Ndonjëherë ajo është pasojë e pasigurisë, mungesës së informacionit ose mungesës së përgatitjes.Prandaj, lideri i mirë nuk pyet vetëm:“Pse po rezistoni?” Ai pyet edhe: “Çfarë ju nevojitet që ta realizojmë këtë ndryshim së bashku?” Ky është dallimi ndërmjet imponimit dhe udhëheqjes.

Marrëdhënia me nxënësit dhe prindërit

Një drejtues i shkollës nuk duhet të jetë i pranishëm vetëm në zyrë. Ai duhet ta njohë realitetin e përditshëm të institucionit. Duhet të jetë pranë nxënësve, të dëgjojë shqetësimet e tyre dhe të kuptojë përvojën që ata kanë në shkollë. Në fund të fundit, çdo vendim që merret në një institucion arsimor duhet të ketë në qendër interesin më të mirë të nxënësit.Edhe prindërit nuk duhet të shihen vetëm si persona që kontaktohen kur paraqitet ndonjë problem. Ata janë partnerë të rëndësishëm të shkollës.

Komunikimi i rregullt, transparenca dhe përfshirja e tyre në jetën e shkollës krijojnë një marrëdhënie më të fortë ndërmjet familjes dhe institucionit.Një shkollë e hapur ndaj komunitetit fiton më shumë mbështetje.Një shkollë që komunikon vetëm kur ka problem krijon distancë. Prandaj, drejtori duhet të ndërtojë ura bashkëpunimi. Shkolla nuk është institucion i izoluar. Ajo është pjesë e komunitetit dhe duhet të zhvillohet bashkë me të.

Integriteti – themeli i autoritetit të drejtorit

Autoriteti i një drejtori nuk buron vetëm nga pozita që ai mban. Pozita mund t’i japë kompetenca formale. Por respekti fitohet përmes sjelljes.Integriteti është një nga cilësitë më të rëndësishme të një lideri.Një drejtues që kërkon disiplinë duhet të jetë vetë shembull i përgjegjësisë. Një drejtues që kërkon transparencë duhet të jetë transparent. Një drejtues që kërkon respekt duhet të respektojë të tjerët.

Nxënësit dhe stafi nuk mësojnë vetëm nga ajo që u thuhet. Ata mësojnë edhe nga ajo që shohin. Për këtë arsye, drejtori është vazhdimisht shembull institucional.Mënyra se si ai komunikon në një situatë të vështirë, si e trajton një konflikt, si reagon ndaj kritikës dhe si i merr vendimet, ndikon drejtpërdrejt në kulturën e institucionit.Integriteti nuk ndërtohet me deklarata.Ai ndërtohet me qëndrueshmëri ndërmjet fjalëve dhe veprimeve.

Çfarë lloj drejtori i duhet shkollës së sotme?

Shkolla e sotme nuk ka nevojë për një drejtues që thjesht administron rutinën. Ajo ka nevojë për një lider që:

  • ka vizion të qartë për zhvillimin e institucionit;
  • e njeh procesin e mësimdhënies dhe të nxënit;
  • mbështet zhvillimin profesional të stafit;
  • merr vendime mbi baza të të dhënave dhe fakteve;
  • krijon kulturë bashkëpunimi dhe besimi;
  • është i drejtë dhe transparent;
  • di të dëgjojë, por edhe të marrë vendime;
  • delegon përgjegjësi dhe ndërton ekip;
  • është i hapur ndaj ndryshimit;
  • bashkëpunon me prindërit dhe komunitetin;
  • mbron interesin e nxënësit;
  • dhe, mbi të gjitha, udhëheq me integritet.

Nuk ekziston drejtori perfekt. Çdo drejtues përballet me kufizime, mungesë burimesh, presione të ndryshme dhe probleme që nuk kanë gjithmonë zgjidhje të lehta. Por cilësia e lidershipit nuk matet me mungesën e problemeve. Ajo matet me mënyrën se si drejtuesi i përballon ato.

Përmbyllje

Nëse dëshirojmë shkolla më cilësore, duhet të ndërtojmë edhe lidership më cilësor. Nuk mund të kërkojmë ndryshim nga mësimdhënësit, rezultate më të mira nga nxënësit dhe bashkëpunim më të madh nga prindërit, nëse shkolla nuk ka një udhëheqje që i orienton këto procese drejt një qëllimi të përbashkët. Drejtori i shkollës nuk është shpëtimtari i vetëm i arsimit. Por ai është një nga nyjet më të rëndësishme të tij. Një drejtues i mirë mund të krijojë kushtet që njerëzit të japin më të mirën e tyre. Mund të ndërtojë ekip, të krijojë besim, të nxisë zhvillimin profesional dhe ta shndërrojë shkollën në një organizatë që mëson vazhdimisht.

Në fund, një shkollë e mirë nuk ndërtohet vetëm nga muret, pajisjet apo dokumentet. Ajo ndërtohet nga njerëzit. Dhe njerëzit kanë nevojë për një udhëheqje që nuk i sheh vetëm si vartës që duhet të kryejnë detyra, por si profesionistë që mund të kontribuojnë në ndërtimin e një shkolle më të mirë. Sepse drejtori i vërtetë nuk pyet vetëm nëse shkolla po funksionon.Ai pyet vazhdimisht: A po ecim përpara? Dhe pikërisht nga kjo pyetje fillon udhëheqja e vërtetë e cilësisë.

_____________________________________________________________________Vijon…..

Në pjesën e ardhshme të fejtonit do të trajtohet roli vendimtar i mësimdhënësit në ngritjen e cilësisë në arsim, zhvillimi i tij profesional, autonomia dhe përgjegjësia në punë, si dhe nevoja për ta vendosur mësimdhënësin në qendër të çdo reforme serioze arsimore.