Dalić rikthehet në stol, ish-trajneri i Dinamos dhe Kroacisë merr drejtimin e kësaj kombëtareje

Zlatko Dalić është rikthyer menjëherë në drejtimin e një kombëtareje, duke u emëruar trajner i ri i Emirateve të Bashkuara Arabe. 59-vjeçari mori detyrën vetëm një muaj pasi i dha fund aventurës 9-vjeçare me Kroacinë, pas eliminimit nga Botërori.

Dalić u largua pas humbjes 2-1 ndaj Portugalisë në fazën e 1/16-ve të Kupës së Botës. Për të, ky është rikthim në Emirate, 9 vite pas eksperiencës me Al Ain, me të cilin fitoi titullin e “UAE Pro League” në vitin 2015.

Federata e Futbollit e Emirateve konfirmoi zyrtarisht emërimin: “Mirë se vjen, Zlatko Dalić! Federata e Futbollit e Emirateve ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e kroatit si trajner i ri i kombëtares së Emirateve të Bashkuara Arabe”.

Me Kroacinë, Dalić drejtoi 111 ndeshje, duke fituar 62 prej tyre, më shumë se çdo trajner tjetër në historinë e kombëtares ballkanase që nga pavarësia më 1990. Ai udhëhoqi Kroacinë në finalen e Botërorit 2018, vendin e tretë në “Katar 2022” dhe finalen e “Nations League” 2022-23.