Irani: S’ka progres në përpjekjet për rikthimin e marrëveshjes së paqes me ShBA-në

Irani dhe Shtetet e Bashkuara mbeten në pozicione të kundërta lidhur me përpjekjet për të arritur një marrëveshje përfundimtare për përfundimin e luftës në Gjirin Persik, ka deklaruar një burim i lartë iranian.

Sipas tij, nuk ka pasur përparim në bisedimet për rikthimin e marrëveshjes së përkohshme të arritur në qershor dhe përcaktimin e një afati për zbatimin e saj.

Deklaratat erdhën pasi presidenti amerikan Donald Trump sulmoi sërish ashpër udhëheqësit iranianë, duke zbehur edhe më tej shpresat për një zgjidhje të krizës. Situata është tensionuar pas sulmeve të reja ndaj anijeve në rajon të martën.

Marrëveshja e arritur në qershor parashikonte një “ndërprerje të menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet”. Megjithatë, ajo u përshkallëzua shpejt. Trump deklaroi më 7 korrik se marrëveshja kishte “marrë fund”, ndërsa një javë më vonë Ministria e Jashtme iraniane e cilësoi atë si “të pezulluar”.

SHBA-ja e akuzon Iranin se nuk ka respektuar marrëveshjen për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme të transportit detar në botë.

Teherani, nga ana tjetër, pretendon se Uashingtoni nuk i ka përmbushur zotimet e veta, përfshirë heqjen e bllokadës ndaj porteve iraniane dhe lirimin e aseteve iraniane të ngrira, shkruan Reuters, \.

“Një nga çështjet që po diskutohet përmes ndërmjetësve është rikthimi i SHBA-së në marrëveshjen e përkohshme dhe përcaktimi i një afati për zbatimin e zotimeve. Nuk ka pasur absolutisht asnjë përparim në këtë çështje”, tha burimi iranian.

Trump deklaroi të mërkurën se SHBA-ja ka “kontroll të plotë” mbi Ngushticën e Hormuzit.

Megjithatë, Autoriteti i Ngushticës së Gjirit Persik, i krijuar nga Irani për menaxhimin e kësaj rruge ujore, tha se ajo mbetet e bllokuar dhe nuk do të rihapet derisa të pranohen kushtet e Iranit.

“Irani vetëm flet dhe nuk vepron”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke shtuar se Irani është tashmë “ngacmuesi i Lindjes së Mesme që nuk është më i tillë”.

Gjatë gjithë konfliktit, Trump ka alternuar kërcënimet për përshkallëzim të mëtejshëm me deklaratat se një marrëveshje paqeje është pranë arritjes.