Thirrjet për pushkatimin e Ramush Haradinajt brenda Kuvendit të Kosovës kanë nxitur reagime të ashpra.
Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, e ka cilësuar deklaratën si pasojë të një fushate të gjatë propaganduese, duke kërkuar ndërhyrje urgjente të Prokurorisë së Shtetit.
Në një reagim të ashpër, Gjini ka thënë se thirrjet e tilla në institucionin më të lartë ligjvënës të vendit nuk janë të izoluara, por sipas tij, janë rezultat i një narrative që është ndërtuar dhe promovuar për vite me radhë.
“Thirrjet vëllavrasëse në shtëpinë e ligjit nuk janë të rastësishme; ato janë produkti i saktë i një platforme mbi dhjetëvjeçare propaganduese”, ka deklaruar Gjini.
Ai e ka cilësuar deklaratën kundër Haradinajt si monstruoze, duke akuzuar një pjesë të skenës politike për krijimin e një klime që, sipas tij, ka nxitur gjuhë të tillë.
“Deklarata e sotme monstruoze kundër Ramush Haradinajt është thjesht manifestimi i asaj që u mboll, u ushqye dhe u ujit me vite të tëra si narrativë antikombëtare, para së cilës arkitektët e saj sot heshtën në sallë”, është shprehur kryetari i Aleancës \.
Gjini ka bërë dallim mes personit që ka bërë thirrjen dhe mërgatës shqiptare në përgjithësi, duke theksuar se një veprim i tillë, sipas tij, nuk mund të përdoret për të përfaqësuar komunitetin e gjerë të mërgatës.
“Ky instrumentalizim i rrezikshëm nuk përfaqëson mërgatën tonë patriotike, por rezultatin e një inxhinierie të mbrapshtë politike, ku prokuroria e shtetit duhet të ndërhyjë urgjentisht”, ka shkruar Gjini.
Në pjesën përmbyllëse të reagimit, ai i është drejtuar drejtpërdrejt kundërshtarëve të Haradinajt, duke përdorur një gjuhë të fortë politike.
“Ramush Haradinajn mund ta shihni vetëm nga larg, sepse atë e mbron historia, populli dhe ai vetveten, duke qenë më i zoti se cilido prej jush”, ka deklaruar Gjini.
Ai e ka mbyllur reagimin me një paralajmërim të ashpër ndaj, siç i quan, “njerëzve të këtillë dhe nxitësve të tyre”.
“Njerëzit e këtillë dhe nxitësit e tyre do të përfundojnë shumë shpejt në plehun e harresës”, ka përfunduar ai.
Reagimi i Gjinit vjen pas deklaratës së bërë në Kuvend, e cila ka shkaktuar reagime të forta politike dhe thirrje që institucionet e drejtësisë të hetojnë rastin.








