Shqipëria vazhdon betejën me flakët në disa zona të vendit.
Vatra të reja zjarri janë përhapur sot gjatë ditës edhe në Lurë, me ç’rast Forca të Shërbimit Zjarrfikës, efektivë të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe Emergjencave Civile, kanë dalë në terren për të lokalizuar flakët.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka thënë se të gjitha ekipet po punojnë pa ndërprerje nën temperatura ekstreme.
“Do të vijojmë me të njëjtën vendosmëri deri në neutralizimin e plotë të rrezikut dhe shpëtimin e Parkut Kombëtar të Lurës”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se duhen veprime konktrete për t’i kapur edhe zjarrvënsit e qëllimshëm.
“Zjarrvënësit e qëllimshëm duhen evidentuar sa më parë dhe plotësisht nga Policia e Shtetit, proceduar dhe ndjekur penalisht me të gjithë vetëdijen e lartë qytetare dhe angazhimin maksimal profesional të çdo prokurori, për vënien përpara drejtësisë dhe ndëshkimin e ashpër sipas ligjit penal të çdokujt që shkatërron pasurinë kombëtare të shumë gjeneratave”, ka thënë ai. /







