Në QKUK hyri për të shëruar këmbën e thyer. Por, disa javë pasi u kthye në shtëpi, 84-vjeçarja H.Xh. u përball me një plagë tjetër.
Në pjesën sakrale, apo në fundin e shpinës, të moshuarës i ishte formuar plaga e dekubitit nga pamundësia për të lëvizur, si pasojë e kësaj dhe nga mos qarkullimi i gjakut
Për rastin e nënës së tij, për Kiks Kosova ka alarmuar djali i saj, F.Xh.
Ai thotë se familja nuk ka asnjë ankesë për operimin e këmbës. Përkundrazi, sipas tij, ndërhyrja në Klinikën e Ortopedisë në QKUK kishte shkuar mirë dhe ishte kryer me sukses, raporton Kiks Kosova.
Por, sipas tij, problemet nisën pas operimit.
F.Xh. pretendon se gjatë qëndrimit në QKUK, familjes nuk i ishte rekomanduar përdorimi i dyshekut apo jastëkut antidekubit, pavarësisht moshës së nënës së tij dhe faktit se pas operimit kishte lëvizshmëri të kufizuar.
Ai thotë se familja nuk kishte marrë as udhëzime të qarta se si duhej të parandalohej shfaqja e plagëve të tilla pas kthimit të saj në shtëpi.
Disa javë më vonë, në pjesën sakrale, pranë të pasmeve, pacientes H.Xh. i është shfaqur plaga e dekubitit.
Kujdesi ndaj saj po bëhet në shtëpi nga ekipet mobile shëndetësore. Ata janë traumatizuar nga neglizheca e QKUK-së, prandaj edhe nuk e kanë trajtuar më nënën e tyre aty.
Por shqetësimi i familjes nuk lidhet vetëm me plagën. F.Xh. thotë se gjatë qëndrimit në QKUK janë përballur edhe me sjellje që i konsiderojnë jo korrekte nga një pjesë e stafit mjekësor dhe administrativ.
Ai rrëfen se familjarët kanë pasur vështirësi të marrin përgjigje edhe për pyetje bazike.
Për një familje që tashmë po përballet me kujdesin ndaj një të moshuare me demencë, F.Xh. thotë se kjo situatë e ka rënduar edhe më shumë gjendjen e tyre psikologjike.
Për këtë rast, Kiks Kosova kërkoi sqarime nga Klinika e Ortopedisë dhe Traumatologjisë Lokomotore në QKUK, si dhe nga ortopedi dr. Kushtrim Grezda, i cili e kishte operuar pacienten.
Nga Klinika e Ortopedisë thonë se dekubiti është një komplikim që shfaqet veçanërisht te pacientët e moshës së shtyrë dhe me lëvizshmëri të kufizuar.
Sipas tyre, plagët e dekubitit nuk lidhen domosdoshmërisht me ndërhyrjen operative, por kryesisht me imobilitetin e zgjatur dhe faktorët individualë të pacientit.
Por, a ishin marrë masa për parandalimin e tij?
Klinika thotë se po. Sipas drejtorit Xhavid Gashi, secili repart i Ortopedisë aktualisht është i pajisur me nga tre dyshekë antidekubitalë, ndërsa përdorimi i tyre bëhet në bazë të vlerësimit klinik dhe nevojës individuale të pacientit.
Në rastin e H.Xh., ortopedi Kushtrim Grezda thotë se masa ishte marrë që në ditën e parë.
Sipas tij, 84-vjeçarja, menjëherë pas pranimit në Klinikë, ishte vendosur në shtrat me shtresë antidekubit.
Më 3 qershor, ajo iu nënshtrua operimit, për të cilin mjeku thotë se kaloi mirë nga aspekti ortopedik.
Por, sipas tij, pacientët me këtë lloj frakture janë të rrezikuar nga zhvillimi i dekubitit.
Sipas mjekut, dekubiti tentohet të parandalohet me shtrat antidekubit gjatë qëndrimit në Klinikë, ndërsa në rast përkeqësimi, trajtimi vazhdon në Kirurgjinë Plastike.
Por familjarët pretendojnë se pas daljes nga spitali nuk kanë marrë udhëzime të mjaftueshme për kujdesin ndaj H.Xh.
Edhe për këtë, doktor Grezda ka një përgjigje.
Ai thotë se pacientes dhe familjarëve u janë dhënë sqarimet e nevojshme gjatë qëndrimit në Klinikë.
Sipas tij, në fletëlëshim pacientët udhëzohen të paraqiten për kontrolle çdo të martë në ambulancën specialistike të Ortopedisë.
Por, sipas mjekut, H.Xh. nuk është paraqitur në këto kontrolle pas daljes nga Klinika.
Por, familjarët kanë thënë se kanë qenë në klinikë, por se askush nuk i ka marr parasysh dhe vetëm janë endur korridoreve.
Ndërkohë, nga Klinika e Ortopedisë thonë se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë ankesë lidhur me këtë rast.
Ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë rast:
Ndiqeni emisionin e plotë:








