Ministria e Mujës dhe AUV do të përballen me padi, thotë kreu i Shoqatës së Industrisë së Qumështit

Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (ShIQK) ka bërë të ditur se ka nisur padi ndaj ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK), për dëmet që pretendojnë se u janë shkaktuar qumështoreve dhe fermerëve vendorë.

Kështu ka konfirmuar për Kosovapress, kryetari i ShIQK-së, Gani Durmishi.

“Ne kemi filluar me padi në Prokurori Speciale, për masa të përkohshme, që të mund të ndalojmë këtë vendim të tij me masa të përkohshme, dhe jemi duke i përgatitur dokumentacionet me argumente”, theksoi Durmishi.

Ai tha se sektori i industrisë së qumështit ndodhet në gjendje të rëndë, ndërsa ka akuzuar institucionet përkatëse se me vendimet dhe veprimet e ndërmarra u kanë shkaktuar dëme të mëdha prodhuesve vendorë

“Jemi në telashe të madhe si sektor i industrisë së qumështit të Kosovës. Fushatën të cilën e ka bërë ministria e Bujqësisë dhe ajo e Tregtisë na ka bërë dëm të jashtëzakonshëm të nivelit të pariparuar neve si industri, njëkohësisht edhe fermerëve. Ky kokë më vete i qiti disa ligje, e solli një vendim dhe menjëherë na dërgoi inspektorët në fabrika. Këtu thotë 60 ditë duhet me i kontrollua që me marrë pëlqimin pastaj nga Ministria. Inspektorët e ardhur menjëherë na kanë lëshuar një procesverbal, na kanë ndërprerë prodhimin”, thotë Durmishi.

Sipas tij, masat kanë prekur edhe eksportin dhe shitjen e produkteve të industrisë vendore të qumështit.

Durmishi thotë se inspektorët kanë dalë edhe nëpër markete për t’i larguar të gjitha produktet nga raftet.

“Kjo ka qenë shumë e papritur për bizneset tona dhe na ka bërë një dëm jashtëzakonisht të madh. Na ka dëmtuar edhe me propagandën shumë të madhe që e ka bërë se gjoja se në Kosovë po prodhohet diçka që është kancerogjene, pa një bazë studimore, të cilën mundet me na prua një dokument që të thotë se ky produkt, me këtë prejardhje, me këtë ndërhyrje me vaj pallme që po i thotë, është e dëmshme për njeriun”, thotë ai.

Ai bëri të ditur se qumështoret janë duke evidentuar dhe kalkuluar dëmet e shkaktuara nga tërheqja dhe bllokimi i produkteve në treg.

Sipas tij, një pjese të produkteve rrezikon t’u skadojë afati i përdorimit, ndërsa ka kritikuar mungesën e komunikimit nga institucionet.

“Po i grumbullojmë produktet e bllokuara në markete, jemi duke i kalkuluar edhe në ditë sa kemi mundur të prodhojmë, e që nuk na kanë lënë me prodhu. Gjatë tërheqjes, ato edhe dëmtohen, një pjese të konsiderueshme mund t’iu dalë afati. Por qysh po e shohim ne, me këtë ministër, me këtë arrogancë që po paraqitet AVUK, Ministria e tregtisë dhe ajo e Bujqësisë, nuk po pritet ndonjë zgjidhje”.

“Unë si kryetar i Shoqatës, me të gjithë qumështorët, disa herë kemi kërkuar takime gjatë kësaj jave, i kemi dërguar me shkrim ftesën për takime me ministrin, për zgjidhje, edhe AVUK-u… asnjëri nuk është përgjigjur”.

“Mund të ndodhë që të organizohemi të gjithë punëtorët e sektorit në protesta. Njëkohësisht do të dalin edhe fermerët, sepse ata nuk kanë ku ta çojnë qumështin, atë duhet ta derdhin. E për ta derdhur për mos t’i ndotur lumenjtë, ndoshta vijnë në Prishtinë, sepse i vynë ministrit me ia mbush zyrat”, deklaroi Durmishi.