Në rrethojat e kishës ortodokse në Lipjan, mbrëmë rreth orës 21:00, policia është informuar se janë vendosur dy flamuj.
Sipas njoftimit të PK-së, njëri ishte me mbishkrimin UÇK ndërsa tjetri i Shqipërisë.
Ndërkaq, në njoftim zyrtar për media, policia bëri të ditur se për rastin janë shoqëruar në stacionin policor dy persona të dyshuar, njëri në gjendje të dehur.
“Njësitë relevante policore, me të pranuar informacionin, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe, si rezultat i punës dhe angazhimeve policore, është identifikuar dhe shoqëruar për në Stacionin Policor në Lipjan personi (D. M.) nga Komuna e Lipjanit”.
“Personi i shoqëruar në stacionin policor është trajtuar nga Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Lipjan, i cili ka rezultuar se ishte nën ndikim të alkoolit, me 0.61 promila”, ka thënë Policia.
Ndërkaq, si vazhdimësi e hetimeve policore, të martën “është shoqëruar në stacionin policor edhe personi E. M., po ashtu nga Komuna e Lipjanit, ndaj të cilit kanë vazhduar procedurat e mëtejme policore”.
Sipas procedurave të parapara ligjore, lidhur me rastin janë njoftuar prokurorët kujdestarë të Departamentit Special dhe të Përgjithshëm, me udhëzimin e të cilëve rasti është dërguar me Shënim Zyrtar.
Policia bëri të ditur se në kuadër të Strategjisë së Integruar të Policisë së Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policisë në Bashkësi, Policia e Kosovës ka dosje të veçanta për çdo objekt të trashëgimisë kulturore fetare, të cilat shërbejnë për ofrimin e sigurisë ndaj tyre dhe për parandalimin e çfarëdo rasti apo incidenti të mundshëm.
“Nga Policia e Kosovës sigurohen 24 objekte të trashëgimisë kulturore me prezencë policore 24/7, si dhe objekte të tjera ndaj të cilave ofrohet siguri përmes njësive policore patrulluese, sipas zonave të përgjegjësisë”, bëri me dije Policia në njoftimin zyrtar për media. /








