Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur hetimet lidhur me incidentin e 10 gushtit, ku pas një mosmarrëveshjeje disa persona janë përfshirë në një rrahje, ndërsa një person është plagosur me armë zjarri.
Sipas Prokurorisë, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë tre persona, me inicialet H.D., A.D. dhe E.G., ndërsa është ndaluar edhe një i mitur për 24 orë, \.
Prokuroria ka bërë të ditur se ka filluar hetimet dhe në Gjykatën Themelore në Gjakovë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve.
Ndaj H.D. dyshohet se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërkaq, A.D. dhe E.G. dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.
Edhe i mituri dyshohet për pjesëmarrje në rrahje, ndërsa rasti ndaj tij do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Prokuroria ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të siguruar provat relevante.







