Periudhat e mëvonshme te Manchester United, Tottenham, Roma, Fenerbahçe dhe rikthimi te Real Madridi përmenden shkurt në dokumentarin e Netflix për Jose Mourinho. Megjithatë, dokumentari ndalet te një anekdotë nga koha e tij te Roma:
“Ajo që bëra te Porto në fillim të karrierës, e përsërita te Roma. E dija se aty nuk do të mund të fitoja kurrë Champions-in, por u ndjeva thellësisht i dashur dhe triumfi në ‘Conference League’ ishte një mrekulli e vogël. E vogël, sigurisht, sepse mrekullitë e mëdha i bën vetëm Jezu Krishti. Në punën time, objektivat lidhen me potencialin dhe unë i arrij ato objektiva. Karriera ime më ka dhënë të drejtën për të qenë i lumtur dhe në Romë isha i lumtur”.
Në çdo skuadër që ka drejtuar, Mourinho ka lënë diçka pas: trofe, rivalitete, plagë, lidhje të thella dhe fraza që kanë mbetur në historinë e futbollit. “Special One” nuk ka qenë kurrë thjesht një trajner. Ai është një njeri që çdo përvojë e shndërron në histori dhe çdo histori në betejë.
Nuk ka ditur kurrë ta jetojë futbollin përgjysmë. Kur dashuron, dashuron deri në fund; kur lufton, lufton kundër të gjithëve. Dhe kur fiton, nuk mjaftohet me fitoren. “Doja të bëja histori.” Dhe ia doli. E ndoshta do t’ia dalë sërish. Si “Special One”…








