Kryesia e PDK-së: VV po rrënon rendin kushtetues, do ta mbrojmë shtetin me të gjitha mjetet

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhje, ku ka diskutuar për situatën institucionale dhe politike në vend.

Kryesia e PDK-së ka vlerësuar se Kosova ndodhet përballë një krize të thellë kushtetuese dhe institucionale, e cila siç thuhet në komunikatë, nuk mund të trajtohet më si një mosmarrëveshje e zakonshme politike.

Shpërfillja e Kushtetutës, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, Rregullores së Kuvendit dhe afateve detyruese, sipas PDK-së, përbën cenim serioz të funksionimit demokratik dhe institucional të shtetit.

“Vetëvendosja është shndërruar në shkatërruese të themeleve institucionale të shtetit. Kur shpërfillen Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja e Kuvendit dhe afatet detyruese, nuk kemi më të bëjmë me një mosmarrëveshje të zakonshme politike. Po goditet vetë rendi mbi të cilin qëndron shteti ynë”, ka deklaruar kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Hamza ka theksuar se fillimisht është refuzuar përmbushja e detyrimit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tash,  sipas tij, edhe pas përfundimit të këtij afati, po vazhdon mosrespektimi i procedurave dhe detyrimeve institucionale.

“Nuk mund të sillemi sikur kemi normalitet. Nuk ka normalitet”, ka thënë Hamza.

Kryesia e PDK-së ka vlerësuar se pushteti aktual po e zëvendëson funksionimin normal të institucioneve me arbitraritet institucional, duke i zbatuar rregullat vetëm atëherë kur ato i përshtaten interesit politik të tyre.

“Kushtetuta nuk është opsionale. Institucionet nuk mund të funksionojnë sipas vullnetit të një partie. Kushtetuta përcakton rregullat e ushtrimit të pushtetit, garanton ndarjen dhe balancimin e tij dhe mbron rendin demokratik. Ndërsa në Kosovë pushteti po e pezullon Kushtetutën për nevojat e veta politike”, u tha në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së.

PDK-ja konsideron se interesi i shtetit, Kushtetuta dhe funksionimi i institucioneve duhet të jenë mbi çdo interes partiak dhe individual.

“Kjo nuk është betejë për interesin e PDK-së dhe as konflikt mes dy partive. Kjo është çështje e mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kushtetutës dhe institucioneve të saj”, ka deklaruar Hamza.

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do t’i mobilizojë strukturat e saj në çdo komunë të Kosovës, në çdo degë dhe nëndegë, në çdo nivel të organizimit partiak dhe qytetar, siç tha, për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe funksionimit institucional.

“PDK-ja do të ndërmarrë një sërë veprimesh ligjore, politike dhe demokratike, me qëllim kundërshtimin e degradimit të mëtejshëm të institucioneve dhe mbrojtjen e rendit kushtetues. Këto veprime do të shoqërohen edhe me konsultime dhe koordinim me subjektet politike, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile, që besojnë se shteti dhe Kushtetuta janë mbi çdo parti dhe mbi çdo individ. Partia Demokratike e Kosovës, si parti shtet-formuese, e konsideron përgjegjësi politike dhe qytetare që të reagojë ndaj çdo përpjekjeje për normalizimin e shkeljes së rregullave kushtetuese dhe institucionale” thuhet në komunikatë./