“Prania statike mbi Urën e Ibrit”, çka kishte thënë komandanti i KFOR-it për kalimin e kompetencave? (VIDEO)

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjenerali Ozkan Ulutash, para 12 ditësh kishte folur lidhur me mundësinë e ndryshimit sa i përket pranisë statike të këtij misioni mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë.

Ai kishte qenë i ftuar në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, kur kishte folur për këtë çështje.

Ndërkohë, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, sot ka nisur procesin e kalimit gradual nga prania e përhershme në Urën kryesore në Mitrovicë, ku sipas KFOR-it ky proces vjen në kuadër të optimizimit të pozicionimit të misionit, pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

Ulutash, para 12 ditësh kishte deklaruar se kjo prani është pjesë e përpjekjeve të misionit të NATO-s për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.

Prania e KFOR-it 24/7 në urën kryesore të Mitrovicës është pjesë e përpjekjeve tona të përgjithshme për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurtë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, çdo ndryshim ose rregullim do të varet nga kushtet e sigurisë. Ne do të vazhdojmë të operojmë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës të sigurisë.”, kishte deklaruar Ulutash.

Ai kishte theksuar se çdo ndryshim apo rregullim i pranisë së KFOR-it në këtë pikë do të bëhet në varësi të situatës së sigurisë.

Ulutash kishte bërë të ditur gjithashtu se KFOR-i do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet dhe përgjegjësitë e tyre në fushën e sigurisë.

Sipas tij, situata kërkon vigjilencë të vazhdueshme dhe përshtatje ndaj dinamikave në ndryshim, duke respektuar mandatin e KFOR-it të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara.

Komandanti i KFOR-it kishte thënë se përvoja e tij e mëparshme në Kosovë, duke shërbyer për herë të dytë në këtë pozitë, i ka mundësuar të ndërtojë mbi marrëdhëniet e krijuara dhe të ketë një kuptim më të thellë të kontekstit në Kosovë.