LBK: Ministër, mjaft më me pompozitetin që dëmton prodhuesit vendorë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka reaguar lidhur me debatet për kontrollin dhe sigurinë e produkteve vendore, duke thënë  se nuk është kundër inspektimeve apo kontrolleve profesionale.

Në reagimin e saj, Lidhja thotë se shqetësimi qëndron te mënyra se si komunikohen çështjet e tilla, pasi, sipas saj, deklarimet politike mund të krijojnë perceptim të gabuar për sigurinë e produkteve vendore.

“Si Lidhje e Bizneseve të Kosovës, dua të jemi shumë të qartë: nuk jemi kundër kontrollit, inspektimit apo trajtimit profesional të produkteve, veçanërisht të produkteve ushqimore. Përkundrazi, siguria e konsumatorit dhe cilësia e produkteve duhet të jenë prioritet i përbashkët i të gjithëve. Por jemi kundër pompozitetit, deklarimeve politike dhe mënyrës së komunikimit që krijon një perceptim sikur prodhimi vendor në Kosovë është i pasigurt dhe se prodhuesit tanë duhet të trajtohen si problem. Sot është krijuar një klimë e panevojshme dyshimi ndaj prodhimit vendor. Në vend që të ndërtojmë besim te produktet tona, po krijohet përshtypja se, në çdo situatë, fokusi është tek nxjerrja e prodhuesit vendor në një pozicion mbrojtës”, thotë LBK.

Sipas Lidhjes së Bizneseve, komunikimi politik i çështjeve teknike dhe laboratorike, pa prezantimin e plotë të fakteve dhe rezultateve, mund të dëmtojë besimin e konsumatorëve dhe reputacionin e prodhuesve.

“Ne nuk duhet ta ndërtojmë ekonominë tonë duke krijuar frikë nga produktet vendore. Duhet ta ndërtojmë ekonominë duke krijuar besim tek ato”, thuhet më tej.

Lidhja vlerëson se shumë kompani vendore kanë investuar në infrastrukturë moderne, teknologji dhe standarde që, sipas saj, u mundësojnë të konkurrojnë edhe me kompani të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ata që eksportojnë produktet e Kosovës në tregjet ndërkombëtare janë ndër ambasadorët më të mirë ekonomikë të Republikës së Kosovës.

“Ministër, eja t’i vizitojmë bashkë prodhuesit tanë. Eja të ulemi me ta, t’i dëgjojmë shqetësimet e tyre, të shohim investimet që kanë bërë dhe të kuptojmë se çfarë u nevojitet për të rritur edhe më tej cilësinë dhe konkurrueshmërinë. T’i mbështesim.
T’i ndihmojmë.
T’i promovojmë.
T’u hapim tregje.
T’i inkurajojmë për investime të reja. Kontrolli dhe standardet janë të domosdoshme. Por kontrolli duhet të shkojë paralelisht me mbështetjen, edukimin, promovimin dhe zhvillimin e prodhimit vendor. Kosova nuk ka nevojë për një luftë mes institucioneve dhe prodhuesve. Kosova ka nevojë për partneritet. Si Lidhje e Bizneseve të Kosovës, e kemi dhe do ta kemi gjithmonë derën e hapur për bashkëpunim institucional. Jemi të gatshëm të ulemi, të bashkëpunojmë dhe të kontribuojmë bashkë për një qëllim të vetëm:  prodhim vendor më të fuqishëm, cilësi më të lartë, më shumë vende pune, më shumë eksporte dhe një ekonomi më të fortë të Republikës së Kosovës. Prodhuesi vendor duhet të jetë partner i shtetit, jo objekt i sulmeve dhe dyshimeve politike./