Deklaratat e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës në Beograd, se Ukraina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, kanë nxitur reagime edhe në Ukrainë.
Kundër këtij qëndrimi ka reaguar politikani ukrainas Yuriy Hudymenko, lider i lëvizjes “Sëpata Demokratike”.
Ai e ka kritikuar deklaratën e Zelenskyt, duke thënë se Kosova ka treguar solidaritet me Ukrainën gjatë luftës kundër Rusisë.
“Duket sikur, para udhëtimit në Serbi, presidenti Zelensky duhej të zgjidhte mes ‘të lehtës dhe imorales’ dhe ‘të vështirës, por të drejtës’, dhe ai bëri zgjedhjen për të cilën unë, si qytetar, ndihem i neveritur dhe i turpëruar”, ka shkruar Hudymenko, përcjell .
Hudymenko u ka bërë thirrje miqve të tij në Kosovë që të bëjnë dallimin mes qëndrimit të presidentit dhe qëndrimit të gjithë shoqërisë ukrainase.
“Kosova, aq sa ka mundur, i ka ndihmuar ukrainasit, ushtarët dhe shpëtimtarët ukrainas, edhe pse nuk ka madje as ushtrinë e saj. Veteranët e Kosovës kanë komunikuar me veteranët tanë dhe i kanë ndihmuar. Qytetarët e zakonshëm të Kosovës kanë ndihmuar refugjatët dhe personat e zhvendosur. Ndërsa ne – përmes presidentit – ua pështymë në fytyrë, duke deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë, “vëllait të vogël të Rusisë”. Ndoshta diçka e rëndësishme ka mbetur pa u thënë. Por, në çdo rast, kjo mund të ishte shmangur, pa i dhënë një shuplakë një vendi të vogël, por mik, i cili na ka ndihmuar aq sa ka mundur. Shpresoj që miqtë e mi nga Kosova ta kuptojnë se fjalët e presidentit nuk janë gjithmonë mendimi i gjithë vendit. Ndjenjë e neveritshme”, shkroi politikani nga Ukraina./








