Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk beson se procesi aktual i konstituimit të Kuvendit po bëhet në kundërshtim me Kushtetutën.
“Nuk mendojmë se është shkelur Kushtetuta. Kushtetuta, për shkak të këtyre momenteve dhe proceseve që i kemi kaluar prej vitit të kaluar, prej zgjedhjeve të shkurtit, ka shkuar duke u interpretuar”, tha Konjufca.
Ai u ndal edhe te çështja e afatit prej 24 orësh për përfundimin e seancës konstituive, duke thënë se ekzistojnë interpretime të ndryshme nga ekspertët kushtetues.
Sipas tij, themelimi i Kuvendit mund të zgjasë më shumë se një ditë dhe se situata aktuale nuk duhet të shihet si dramatike.
“Nuk mendoj që është dramatike situata qysh po e interpreton opozita. Është pjesë e formësimit të mëtutjeshëm konstitucional të vendit tonë”, deklaroi ai para mediave, \.
“Ai që mendon se po shkelet Kushtetuta, duhet t’i drejtohet kushtetueses”.
Duke folur për dialogun politik, Konjufca tha se partitë politike duhet të vazhdojnë komunikimin, duke përmendur PDK-në, LDK-në dhe Aleancën, ndërsa shtoi se çdo dëm që mund të shkaktohet nga situata aktuale është më i vogël sesa shkuarja në zgjedhje të reja.
Ai gjithashtu e krahasoi situatën aktuale me përplasjet në seancën e kaluar, duke thënë se dëmi i tanishëm është më i vogël se dhuna që, sipas tij, ishte ushtruar ndaj kryeministrit dhe deputetëve.
“Mendoj thjesht që mund të zgjasë më shumë se një ditë konstituimi i kuvendit, kurrë nuk duhet të lodhemi nga dialogu politik, edhe PDK-së, LDK-së dhe Aleancës do t’i drejtohet sërish Kurti. Çdo dëm që mund të bëhet është më i vogël se ajo që pamë në seancë herën e fundit, dhunë e ushtruar ndaj kryeministrit Kurti dhe ndaj deputetëve. Është më pak dëm se me shku në zgjedhje të reja. Ne nuk po mendojmë që po shkelet Kushtetuta”, u shpreh Konjufca, njofton .







