“Alajbegovic dhe Yildiz mund të krijojë identitetin juventin. Kolo Muani në rregull, tani duhet një tjetër sulmues”

Ish-sulmuesi i Juventusit, Fabrizio Ravanelli, ka komentuar merkaton e bardhezinjve, nga Alajbegovic te Kolo Muani, duke nisur me vlerësimin për trajnerin Luciano Spalletti: “Besoj se hapi i parë, më i rëndësishmi, për të krijuar diçka të madhe, ishte konfirmimi i trajnerit”.

Për afrimin e Alajbegovic shtoi: “Më la përshtypjen e një lojtari me personalitet të madh, që mund të rritet shumë. Mund të bëhet një futbollist shumë i rëndësishëm për të ardhmen. Ai dhe Yildiz mund të krijojnë atë identitet juventin, atë bërthamë të fortë, pas disa vitesh. Besoj se ishte një blerje e madhe, një afrim i rëndësishëm”.

Për Kolo Muani, ish-sulmuesi bardhezi nënvizoi: “Kolo e shoh mirë. Në tri minutat e para që hyri, menjëherë sulmoi hapësirën pas mbrojtjes, pikërisht ajo që kërkon Spalletti për të shënuar. Kolo mund të jetë një sulmues që shënon shumë gola.

Natyrisht, në një skuadër të madhe mund të ketë lloje të ndryshme sulmuesish; ata që sulmojnë hapësirat, ata që mbajnë lart skuadrën dhe një tjetër më fizik. Tani duhet të presim. Ndoshta te Juventusi mund të vijë edhe ky lloj sulmuesi, ka ende kohë”.