Reshitaj: Mbrëmë ka ndodhur një situatë e turpshme dhe e jashtëzakonshme

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albena Reshitaj, ka kritikuar ashpër situatën politike në vend, pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës. Ajo e ka cilësuar situatën si “të jashtëzakonshme” dhe “të turpshme”, duke thënë se Kosova ka dhënë një mesazh të keq para botës.

Reshitaj ka shprehur zhgënjimin e saj me mënyrën se si, sipas saj, po ndërtohet e ardhmja e vendit dhe ka kritikuar mungesën e bashkëpunimit politik.

“Siç e keni pa, mbrëmë në Kosovë ka ndodhë një situatë e jashtëzakonshme, e turpshme dhe kemi dhanë një mesazh jashtëzakonisht të keq edhe para gjithë botës.Jam shumë e dëshpëruar me atë se si po ndërtohet një e ardhme e këtij vendi, me çfarë mënyre, edhe se si nuk ka aspak sinqeritet në bashkëpunime, në takime, edhe në mundësi për të ndërtuar një të ardhme të mirë e të shëndoshë për Republikën e Kosovës”, ka thënë ajo, raporton EO, \.

Reshitaj ka deklaruar se një ditë më parë kishte bërë thirrje që deputetët të shkonin në Kuvend për ta konstituuar atë. Sipas saj, mungesa e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje ishte një bojkot i institucioneve.“Dhe unë kam bërë një ftesë dje që deputetët të vijnë të gjithë në Kuvend dhe të konstituohet Kuvendi. Siç e keni pa, asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka ardhur dje në Kuvend. Bile ka pasë nga ata të cilët nuk kanë qenë fare në Kosovë, kanë shkuar në pushime. Dhe besoj që qytetarët e Republikës së Kosovës po e shohin qartazi se kush po e bojkoton shtetin. Dhe kush e ka qëllimin që nga baza, nga fillimi të bojkotojë institucionet dhe shtetin”, është shprehur Reshitaj.