Izet Sadiku: Rasti i malaries në Kosovë është i importuar, pacienti është në gjendje të mirë (VIDEO)

Infektologu Izet Sadiku ka bërë të ditur se rasti i fundit i malaries i regjistruar në Kosovë është i importuar dhe nuk bëhet fjalë për përhapje të sëmundjes brenda vendit.

Në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, Sadiku ka sqaruar se malaria nuk është sëmundje karakteristike për Kosovën dhe zakonisht paraqitet te personat që udhëtojnë ose punojnë në vende endemike, veçanërisht në disa zona të Afrikës.

Sipas tij, pacienti i diagnostikuar me malarie kishte qenë duke punuar në një vend ku kjo sëmundje është e përhapur dhe është kthyer në Kosovë me simptoma të rënda.

“Pacienti ka ardhur me humbje të vetëdijes, ndërsa falë reagimit të shpejtë të Klinikës Infektive, është pranuar në orët e para të mëngjesit dhe brenda pesë-gjashtë orësh është konfirmuar diagnoza”, ka deklaruar Sadiku.

Ai ka bërë të ditur se terapia ka nisur menjëherë dhe gjendja shëndetësore e pacientit aktualisht është e mirë.

Infektologu ka theksuar se malaria nuk përhapet nga një person te tjetri në mënyrë të drejtpërdrejtë, por transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.

Sadiku ka apeluar te qytetarët që udhëtojnë në vende ku malaria është e pranishme që të marrin këshilla mjekësore paraprakisht dhe, në raste të caktuara, të përdorin terapi mbrojtëse përpara udhëtimit.