Mundësia e një bashkëpunimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka qenë temë diskutimi në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, ku të ftuarit kanë analizuar se çfarë mund t’i ofrojë VV-ja LDK-së në këmbim të një marrëveshjeje politike.
Njohësi i zhvillimeve politike, Lulzim Veliu, ka thënë se një nga shqetësimet e LDK-së mund të jetë mungesa e garancive në rast se ajo do t’i japë mbështetje Albin Kurtit për çështje të rëndësishme politike, përfshirë zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, ekziston frika se pas marrjes së mbështetjes, Vetëvendosje mund të vazhdojë qeverisjen pa pasur më nevojë për një koalicion të plotë.
LDK-ja mund të ketë dyshime se nëse i jep votat për president, më pas mund të mos ketë më nevojë për koalicion dhe të vazhdojë qeverisjen me numrat që ka”, ka deklaruar Veliu.
Gazetari Vullnet Krasniqi ka theksuar se një nga dilemat kryesore mes dy subjekteve lidhet me mungesën e besimit. Sipas tij, në Vetëvendosje ekziston shqetësimi se një partner eventual qeverisës mund të veprojë si “opozitë brenda qeverisë”, ndërsa në LDK ka pakënaqësi për shkak të raporteve dhe përvojave të mëparshme politike.
Ndërkohë, drejtoresha e Forumit për Iniciativa Qytetare, Dajana Berisha, ka thënë se nuk sheh interes të madh politik të LDK-së për një koalicion me Vetëvendosjen, por më shumë interesa të individëve brenda saj.
Sipas saj, një marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së do të ishte një koalicion jo natyral në aspektin ideologjik dhe mund të dëmtonte LDK-në në zgjedhjet e ardhshme.
Nëse LDK hyn në koalicion me Vetëvendosjen dhe vendi shkon sërish në zgjedhje, mendoj se numrat e saj mund të jenë edhe më të vegjël”, ka deklaruar Berisha.
Ajo ka vlerësuar se për LDK-në mund të jetë më e dobishme të përballet sërish me elektoratin sesa të hyjë në një marrëveshje që mund t’i kushtojë politikisht.








