Gjini i përgjigjet Kurtit: Takim po, por vetëm publikisht para kamerave

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka mbajtur sot një konferencë për media, pas zhvillimeve të fundit në seancën e thirrur për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Gjini ka alarmuar opinionin publik për një krizë të paprecedentë institucionale, duke e akuzuar drejtpërdrejt Albin Kurtin për uzurpim të shtetit, ndërsa i ka kthyer një përgjigje të prerë kërkesave të Kurtit për takime politike pas shpinës së qytetarëve.

“Situata politike ka mbërritur një moment që mundet me qenë më kritiku në historinë e Kosovës. Sot Kosova nuk ka as president, as u.d. të presidentit, nuk ka kryetar të Kuvendit as nënkryetar. Kosova nuk ka as kryeministër legal, as ministra legalë, vetëm një person që e ka uzurpuar pushtetin. Asnjëherë nuk na kishte shkuar mendja që Kosova mundet me ardhë në këtë pozitë,” ka deklaruar Gjini para gazetarëve.

“Duhet me thënë se nuk ka emër tjetër kjo situatë pos grusht shtet i brendshëm, që realizohet prej njerëzve të cilët në mënyrën më brutale e shfrytëzojnë legjitimitetin e brishtë për me i uzurpu institucionet. I kam paralajmëruar qytetarët e Kosovës që kjo mundet me ndodhë. Pse ia bën këtë Kuvendit të vet, popullit të vet, atij populli që e voton? Këtë nuk mundem me kuptu,” u shpreh ai.

Gjini ka sqaruar pozicionin e Aleancës, duke kujtuar ofertën me gjashtë pika për mbështetjen e krijimit të institucioneve, duke potencuar se partia e tij nuk ka kërkuar asgjë për interesa partiake apo personale. Ai specifikoi se kërkesa kryesore mbetet nënshkrimi i marrëveshjes për gazin, rrugët dhe prodhimi i energjisë në Kosovë.

“Ato nuk kanë kuptuar në asnjë rast që po kërkojmë diçka për vete, e kemi bërë të ditur dhjetëra herë. Nuk ka njeri në Kosovë që nuk e di çka po kërkojmë. Po kërkojmë që me u nënshkru marrëveshja për gazin. Është hera e 40-të që e përsëris, nuk kemi marrë përgjigje për to. A do me i kry këto rrugë, a do me pas energji të prodhuar në Kosovë?” pyeti Gjini.

Gjatë konferencës, Kryetari Aleancës, nuk ka kursyer as deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilët tha se po ankohen që askush nuk i pyet për vendimet që merren brenda partisë së tyre.

“Një parti që i ka fitu zgjedhjet, është shndërruar në një parti ku s’ka as debat, as pyetje, as shtjellim të ideve, po ka vetëm njerëz që e ngrisin dorën. Mu më vjen keq për ta,” tha ai, duke shtuar se personi që po bën pazare në kurriz të vendit është vetë Albin Kurti. “Ish-kryeministri në detyrë ishte në Greqi, derisa ne ishim duke i nxjerrë pikat për me gjetë zgjidhje. Duhet me ja përkujtu që pas zgjedhjeve ka gjetë kohë me shku në konferenca me Papandreun, ne jemi të brengosur seriozisht.”

Lideri i Aleancës u bëri thirrje zyrtarëve civilë që të kenë kujdes se çfarë nënshkruajnë nën urdhërat e një pushteti që ai e quan të paligjshëm dhe në shkelje të rëndë kushtetuese.

“Legalisht këta njerëz nuk do të duhej me hy në zyre. Gjithë ata zyrtarë civilë që nënshkruajnë dokumente që vijnë me urdhëresë të këtyre personave, kanë me u përgjegj. Gjithçka që ndodh në Kosovë është e paligjshme. Ne nuk e kemi plan me u bë pjesë e këtij maskarallëku. Nuk dojmë me qenë pjesë e qeverisjes. Nuk ka qytetarë që nuk e dinë që dy partitë që po negociojnë i kanë votat me zgjedhë edhe presidentin edhe qeverinë. Nëse kanë probleme të natyrave tjera, atëherë nuk është fare përgjegjësi e Aleancës.”

Në mbyllje, Ardian Gjini i është përgjigjur drejtpërdrejt synimeve të Kurtit për takime të mbyllura, duke i vendosur një kusht të panegociueshëm: çdo komunikim do të bëhet vetëm në dritë të diellit dhe para syve të mbarë popullit.

“Nuk kemi çka me u taku nëpër zyra të mbyllura. E kisha taku Albin Kurtin në debat, me na pa populli i Kosovës gjithë çka po flasim. Me kamera, le ta zgjedhë studion, gazetarin, televizionin, publikisht kohën. Krejt populli le të na dëgjojë çka po i thojmë njëri-tjetrit. Nuk kemi çka me u taku privat, le të zotohet publikisht që ka me punu për qytetarin e Kosovës.”

“Në atë takim, kam me ja bë qato gjashtë pyetje. Kur të dojë publikisht! Një njeri që i fiton zgjedhjet me ‘Lule Egjelin’, me krejt ata që janë sulur tash pas Aleancës. Unë mburrem që jam Aleancë, e asaj Aleance për Ardhmërinë e Kosovës që e ka shkurtu emrin e vet, edhe po mburrem që jam kryetar i Gjakovës, edhe që i kam pas gjithë ato pozita. Mburrem që kam qenë nënkryetar i Aleancës. Unë nuk kam qenë asnjëherë zëvendës i Rikallos!” përfundoi Ardian Gjini.