KDI: Dialogu politik mund të vazhdojë, por Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit

Instituti Demokratik i Kosovës ka shprehur keqardhje që Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua në seancën e sotme, ndonëse ajo u thirr pasi ishin konsumuar 29 nga 30 ditët e afatit në dispozicion për përfundimin e këtij procesi.

KDI tha se ,osushtrimi i së drejtës kushtetuese nga Vetëvendosje, si subjekti politik me numrin më të madh të deputetëve për të propozuar kandidaturën për Kryetar të Kuvendit pamundësoi vazhdimin e procedurës së konstituimit dhe rezultoi me ndërprerjen e seancës.

Ndërprerja e sotme e seancës, përderisa afati kushtetues ende nuk ka përfunduar, sipas KDI-së, nuk përbën në vetvete shkelje të afatit apo procedurave të parapara me Rregullore.

Megjithatë, në përputhje me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, ky institut tha se seanca konstituive duhet të përmbyllet më së voni deri nesër, duke përfshirë zgjedhjen e Kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

“KDI mirëpret çdo përpjekje serioze për dialog dhe arritjen e marrëveshjeve politike ndërmjet subjekteve parlamentare. Megjithatë, nevoja për konsultime apo negociata politike nuk e pezullon detyrimin kushtetues për përmbylljen e seancës konstituive brenda afatit të përcaktuar. Dialogu politik dhe respektimi i afateve kushtetuese nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por duhet të zhvillohen paralelisht”.

“Takimet dypalëshe, konsultimet më të gjera dhe format e tjera të komunikimit politik mund dhe duhet të vazhdojnë, veçanërisht për çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Megjithatë, është e domosdoshme që fillimisht të përfundojë konstituimi i Kuvendit, në mënyrë që të nisin procedurat e tjera kushtetuese, përfshirë afatin 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në reagim.

KDI tha gjithashtu se afati që përfundon nesër është afati për konstituimin e Kuvendit, jo ai për arritjen e marrëveshjes për Presidentin.

“Po ashtu, ky afat është përcaktuar për përmbylljen e procedurës së konstituimit dhe jo për zhvillimin e negociatave politike. Pas konstituimit, subjektet parlamentare do ta kenë në dispozicion periudhën kushtetuese 60-ditore për të zhvilluar negociata dhe për të gjetur një zgjidhje që siguron zgjedhjen e Presidentit”.

“Prandaj, KDI i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti politik me numrin më të madh të deputetëve, që ta ushtrojë pa vonesë të drejtën dhe përgjegjësinë kushtetuese për ta propozuar kandidaturën për Kryetar të Kuvendit. Pas paraqitjes së kandidaturës, të gjithë deputetët kanë përgjegjësi të marrin pjesë në procedurën e votimit dhe të kontribuojnë në konstituimin e plotë të Kuvendit”, thuhet në reagimin e KDI-së./Klankosova.tv