Policia thotë se e ka larguar personin që qëndronte para një banese në Gjakovë

Banorët e një ndërtese në rrugën “Hysni Dobruna” në Gjakovë kanë alarmuar për një person i cili po qëndron në hyrjen e këtij objekti tash e një kohë.
Ata për Klankosova.tv kanë deklaruar se personi në fjalë po iu shkakton shumë shqetësime.

Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Gjakovës.

Përmes një përgjigje me shkrim kanë deklaruar se e kanë trajtuar rastin ashtu siç kërkohet me ligj.

“Bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi, ju njoftojmë se lidhur me rastin e raportuar, Stacioni Policor në Gjakovë, përmes rrugëve operative, ka pranuar informacionin për ngjarjen dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme konform kompetencave ligjore. Për herën e fundit, me datë 01 gusht 2026, zyrtarët policorë kanë intervenuar duke larguar personin nga lokacioni i identifikuar”, thuhet në përgjigjen për Klankosova.tv

Derisa banorët theksuan se kanë edhe dyshime se dikush edhe mund ta paguajë personin në fjalë për t’i shqetësuar ata.

“E kemi adresuar rastin edhe në polici dhe komunë, por deri tani nuk kanë ndërmarrë masa. Ky person është nga Shqipëria, i cili vjen kohë pas kohe dhe na pengon. Ai fle aty, rri aty dhe po ashtu edhe i kryen nevojat fiziologjike aty pari”, deklaruan ata për Klankosova.tv.

“Ne duam që shteti të na sigurojë lirinë pasurore dhe personale. Ky i njëjti i kryen edhe ritet fetare, ani pse xhaminë e ka 50 metra prej objektit. Aty edhe bërtet dhe me zhurmën e tij na pengon”.

“Kam frikë se është duke u keqpërdorur nga dikush. Ne kemi informacione se është paguar nga dikush për të qëndruar aty. Nga 5 a 6 muaj nuk vjen fare dhe shfaqet përsërit”, theksuan ata.

Klankosova.tv ka dërguar pyetje edhe Drejtorinë për Mirëqenie Sociale të Komunës së Gjakovës, por deri në mometin e publikimit të lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje zyrtare.

“Dikush po e paguan”, banorët në Gjakovë alarmojnë për një person që po qëndron para ndërtesës