“I udhëhequr nga doktrina serbe”, Behrami për Kurtin: Durimi po soset, protestat të pashmangshme

Deputeti tashmë i betuar i PDK-së, Artan Behrami ka hedhur kritika të mëdha ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pasi sot ka dështuar të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Seanca konstituive është ndërprerë, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka propozuar emër për kryeparlamentar dhe pasi që Kurti ka kërkuar afat shtestë me arsyetimin se ende nuk ka një marrëveshje për zgjidhjen e presidentit.

Por, krejt këtë situatë e ka parë me sy kritik, deputeti Behrami, i cili ka reaguar në rrjetin social facebook.

“I udhëhequr nga doktrina serbe, i kapluar nga frika e humbësit, Albin Kurti, Kosovën e ka shndërruar në “Banana Republic”!”, ka shkruar ai.

Behrami ka deklaruar se protestat do të bëhen të pashmangshme.

“Durimi po soset. Protestat do të bëhen veprime të pashmangshme me këtë okupues të institucioneve”, ka shkruar ai. /Klankosova.tv