Zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës kanë parandaluar një rast të tentim importit të mallrave të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë.
Gjatë kontrolleve të rregullta në hyrje të Kosovës, zyrtari doganor ndaloi për kontroll një automjet me targa të shtetit fqinj. Gjatë intervistimit, udhëtari, shtetas i huaj, deklaroi se nuk posedonte mallra apo mjete monetare për t’i deklaruar pranë autoriteteve doganore, transmeton Klankosova.tv.
Bazuar në indikatorët e analizës së rrezikut dhe dyshimet e krijuara gjatë kontrollit fillestar, në njoftim theksohet se zyrtari doganor kërkoi kryerjen e një kontrolli të detajuar të automjetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës
Si rezultat i kontrollit, u zbuluan produkte për trajtimin e flokëve me vlerë të përafërt prej 4,600 euro, për të cilat poseduesi nuk kishte dokumentacion përcjellës apo faturë që dëshmonte origjinën dhe importimin e rregullt të tyre.
“Përveç shmangies së obligimeve doganore, rasti paraqet edhe një rrezik potencial për shëndetin publik, pasi produktet kozmetike dhe ato për trajtimin e flokëve, kur importohen jashtë procedurave ligjore, nuk i nënshtrohen kontrollit të autoriteteve kompetente lidhur me sigurinë, përbërjen dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara për tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe administrative të parapara me legjislacionin në fuqi.







