Mediat serbe: Ndalohet një serb në Bërnjak, dha deklaratë të rreme si dëshmitar në hetimet për krime lufte

Mediat në Serbi kanë raportuar se Policia e Kosovës ka ndaluar sot në pikën kufitare në Bërnjak D.V. nga Zubin Potoku, të cilit, pas marrjes në pyetje, me urdhër të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, ka deklaruar avokati i tij, Millosh Delleviq.

Delleviq tha se D.V. është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Dhënie e deklaratës së rreme”, ndërsa ishte marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit në kuadër të hetimeve për veprën penale “Krim lufte kundër popullatës civile”, transmeton RTS.

“Gjatë marrjes në pyetje, prokurori vendosi të nisë procedurë ndaj D.V.-së për dhënie të deklaratës së rreme”, tha Deleviq.

Autoritetet të hënën i caktuan masën e paraburgimit njëmujor Jugosllav Radojeviqit nga rrethina e Zubin Potokut, i cili dyshohet se ka kryer krim lufte.

Më herët, Policia e Kosovës arrestoi edhe dy serbë nga Zubin Potoku, të cilët po ashtu dyshohen për krime lufte dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit.

Klankosova.tv ka kontaktuar Policinë e Kosovës. /Klankosova.tv