Liverpooli ka nisur tentativën për transferimin e sulmuesit të Paris Saint-Germainit, Bradley Barcola, por oferta e parë e klubit anglez është refuzuar nga kampionët e Francës.
Sipas raportimeve të “Foot Mercato”, “The Reds” kanë ofruar mbi 100 milionë euro për 23-vjeçarin, ndërsa PSG kërkon rreth 170 milionë euro për ta lënë të largohet një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës.
Megjithatë, negociatat mes dy klubeve kanë nisur dhe Liverpooli shpreson ta bindë klubin francez për një marrëveshje gjatë kësaj vere. Sipas gazetarit Fabrizio Romano, kontaktet zyrtare kanë filluar dhe oferta e parë shihet vetëm si pikënisje.
Barcola raportohet se është i hapur për një kalim në “Anfield”, pasi kërkon një rol më të rëndësishëm në skuadër. Ai ka refuzuar edhe një ofertë për rinovim nga PSG-ja, ndërsa kontrata aktuale i skadon në vitin 2028.
Sulmuesi francez pati një sezon të mirë me PSG-në, duke shënuar 13 gola dhe dhënë 7 asistime në 49 ndeshje. Ai gjithashtu shkëlqeu me Francën në Kupën e Botës 2026, ku regjistroi 3 gola dhe një asistim.








