Evropa po përgatitet për rregullat e sigurisë së AI

Ndërsa SHBA harton kuadrin e saj.

Evropa dhe Britania e Madhe po zhvillojnë qasjet e tyre për testimin dhe sigurinë e modeleve të inteligjencës artificiale, ndërsa administrata amerikane përgatitet të vendosë rregulla të reja për këtë fushë.

Sipas analizave të fundit, vendet evropiane kanë kaluar disa vite duke ndërtuar një sistem mbikëqyrjeje për rreziqet që sjell AI, ndërsa SHBA-të ende po përcakton se cilat modele dhe përdorime duhet të përfshihen në një kuadër të përbashkët.

Administrata e presidentit Donald Trump pritet të publikojë një kuadër vullnetar për Inteligjencën Artificiale, ndërsa po shqyrton edhe propozime nga kompani si OpenAI dhe Anthropic për të krijuar standarde të njëjta për modelet më të avancuara, pavarësisht nëse janë me burim të hapur apo të mbyllur.

Ekspertët evropianë theksojnë se një nga mësimet kryesore nga procesi i BE-së është që siguria e AI duhet të nisë nga skenarë konkretë rreziku, si përdorimi i teknologjisë për armë biologjike, sulme kibernetike ndaj sistemeve qeveritare apo kërcënime ndaj infrastrukturës kritike.

Një tjetër parim i rëndësishëm i qasjes evropiane është përdorimi i testimeve të standardizuara dhe verifikimeve të pavarura, në vend që kompanitë të mbështeten vetëm te vlerësimet e tyre për sigurinë e modeleve.

Ekspertët argumentojnë gjithashtu se BE-ja është përpjekur t’i bazojë pragjet e rrezikut në kërkime shkencore dhe publikime akademike, ndërsa në SHBA standardet shpesh mbështeten më shumë te industria dhe vetërregullimi.

Një sfidë tjetër që po përballet sektori publik është largimi i ekspertëve teknikë drejt kompanive private të teknologjisë, veçanërisht në SHBA dhe Britani. Sipas studiuesve, kjo mund të dobësojë kapacitetet e qeverive për të kontrolluar zhvillimin e shpejtë të Inteligjencës Artificiale.

Në përfundim, vendet perëndimore po afrohen gradualisht drejt një kuptimi të përbashkët për rreziqet kibernetike të AI-së, por mënyra se si do të menaxhohen sfidat më të gjera të kësaj teknologjie mbetet ende në fazën e ndërtimit të politikave.