Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2025”, i cili vlerëson transparencën buxhetore në 38 komunat e Kosovës.
Sipas raportit, mesatarja e transparencës buxhetore në vitin 2025 ka arritur në 64.5 pikë, nga 61 pikë sa ishte një vit më parë.
Në total, 10 komuna kanë marrë 100 pikë, ndërsa 19 nga 38 komunat kanë arritur të paktën 89.5 pikë. Në anën tjetër, Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani nuk kanë grumbulluar asnjë pikë.
Gjatë vitit 2025, komunat kanë publikuar gjithsej 240 dokumente buxhetore, prej të cilave 133 kanë qenë dokumente të raportimit financiar të buxhetit.
Në kuadër të planifikimit të buxhetit për vitin 2026, komunat kanë organizuar gjithsej 119 dëgjime buxhetore me qytetarët. Nga 38 komunat, 28 kanë organizuar së paku katër dëgjime, ndërsa komunat e tjera kanë zhvilluar nga një deri në tri dëgjime.








