Opinionisti Azdren Shala ka vlerësuar se ftesat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takime me partitë politike nuk kanë për qëllim arritjen e një marrëveshjeje për formimin e qeverisë, por përgatitjen e terrenit për zgjedhje të reja.
Nw emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Shala tha se që nga fillimi ka qenë skeptik për suksesin e këtyre përpjekjeve.
“Prej fillimit bëj pjesë te grupi i atyre që e shoh me skepticizëm këtë përpjekje të Kurtit me e bë qeverinë. Mendoj që këto ftesa për takime janë në funksion të ndërtimit të tregimit për zgjedhjet e ardhshme. Këtë me shumë mundësi e ka kuptuar PDK-ja dhe Aleanca, LDK ende jo”.
Sipas tij, qëllimi i Kurtit nuk është krijimi i një koalicioni qeverisës me LDK-në, por dobësimi politik i saj.
“Albin Kurti nuk po do ta bëjë qeverinë, por me nda LDK-në, me shpresën që ua merr një valë të madhe të votuesve. Këtë është mirë me e kuptu LDK-ja”.
Shala shtoi se objektivi i Kurtit është shkuarja në zgjedhje të reja, ndërsa për ta arritur këtë, sipas tij, synohet dobësimi i dy partive më të mëdha opozitare.
“Albin Kurti po do zgjedhje të reja. Te këto zgjedhje me mbërri, duhet me i dobësu dy parti: LDK-në duke e përça, ndërsa PDK-në duke e demonizu”, deklaroi ai.








