Varreza masive në Zubin Potok, Kryeprokurori Gashi: Hap i rëndësishëm drejt së vërtetës dhe drejtësisë

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka përgëzuar institucionet ligjzbatuese të Kosovës për punën dhe përkushtimin e treguar në zbulimin e varrezës masive në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore dhe ekzistojnë dyshime se në atë lokacion mund të ketë edhe trupa të tjerë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Përmes një deklarate publike, Gashi e cilësoi këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe vendosjen e drejtësisë.

“Zbulimi i kësaj varreze masive përbën një hap të rëndësishëm në angazhimin shtetëror për të nxjerrë në dritë të vërtetën dhe për të mundësuar vendosjen e drejtësisë”, thuhet në deklaratën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ai theksoi se zbardhja e rasteve të tilla nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një përgjegjësi institucionale dhe morale ndaj viktimave të luftës dhe familjeve të tyre.

“Zbardhja e këtyre rasteve përbën një përgjegjësi ligjore dhe institucionale ndaj viktimave, si dhe ndaj familjarëve të tyre”, u shpreh Gashi.

Kryeprokurori vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve në zonën ku po zhvillohen gërmimet, duke theksuar se ky bashkërendim është thelbësor për avancimin e hetimeve.

“Ndihma dhe bashkëpunimi i institucioneve dhe qytetarëve kanë rëndësi thelbësore si për identifikimin e viktimave, ashtu edhe për gjetjen e personave përgjegjës për këto krime dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet do të vazhdojnë gërmimet dhe ekzaminimet në lokacionin e Zubin Potokut për të përcaktuar nëse në këtë zonë ndodhen edhe mbetje të tjera mortore të viktimave të luftës.

Deri më tani, lidhur me këtë rast janë arrestuar tre persona.