Pio Esposito: Qëllimi tek Interi është të mos kënaqemi kurrë me atë që kemi arritur

Sulmuesi i Interit, Francesco Pio Esposito, foli për “Sky Sport” mbi pritshmëritë e sezonit të ri dhe rinovimin e kontratës: “Sezonin e kaluar shkuam përtej pritshmërive. Vija nga Serie B dhe jam shumë i kënaqur me mënyrën si shkoi sezoni im i parë tek Interi”.

Për objektivat e sezonit të ri tha: “Qëllimi është të mos kënaqemi kurrë me atë që kemi arritur, të mos ndalemi dhe të përmirësohemi vazhdimisht, si në statistika, ashtu edhe si futbollistë”. Lidhur me rinovimin e kontratës: “Jam shumë i qetë. Ndihem shumë mirë këtu tek Interi. Për këtë çështje merret agjenti im së bashku me klubin, pa asnjë problem”.

Për fazën përgatitore deklaroi: “Po punojmë shumë. Ndeshjet me Milanin dhe Juventusin do të jenë prova të rëndësishme. Derbi është gjithmonë i veçantë ndaj, edhe pse është miqësor, do ta luajmë me seriozitet”.

Sa iu përket objektivave të Interit nënvizoi: “Jemi një ekip i fortë dhe do të luajmë për të fituar edhe sezonin e ri”. Ndërsa për kombëtaren italiane tha: “Fillimisht dua të tregoj vlerat e mia me klubin, pastaj shpresoj të kem mundësinë të dëshmoj veten edhe me Italinë, sepse fanella e kaltër ka shumë rëndësi për mua”.

The post Pio Esposito: Qëllimi tek Interi është të mos kënaqemi kurrë me atë që kemi arritur appeared first on Telesport.