Përplasen helikopterët gjatë shuarjes së zjarreve në Greqi, humbin jetën dy persona

Dy persona kanë humbur jetën pasi dy helikopterë zjarrfikës u përplasën gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri të madh në zonën e Psathas, në perëndim të Athinës, kanë konfirmuar autoritetet greke.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, shprehu “dhimbjen e tij të thellë” për aksidentin tragjik, duke bërë të ditur se viktimat janë një pilot danez dhe një koordinator grek i Shërbimit Zjarrfikës, të cilët po merrnin pjesë në operacionet për shuarjen e zjarrit në Porto Germeno, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

“Ky humbje na mbush të gjithëve me pikëllim. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave”, shkroi Mitsotakis në platformën X.

Ndërkohë, një pilot britanik dhe një oficer ndërlidhës i Shërbimit Zjarrfikës Grek, të cilët ndodheshin në helikopterin tjetër, arritën të shpëtohen dhe u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm të Forcave Ajrore 251 në Athinë për të marrë trajtim mjekësor.

Sipas Shërbimit Zjarrfikës të Greqisë, dy helikopterët e tipit Bell, të marrë me qira për operacionet ajrore kundër zjarreve, u përplasën gjatë përpjekjeve për të shuar flakët në kufirin mes rajoneve të Atikës dhe Beotisë.