12 mijë e 230 viktima të dokumentuara të luftës në Kosovë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruese e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka paraqitur për herë të parë listën institucionale preliminare të viktimave të luftës, në të cilën janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se lista është ende preliminare dhe se procesi i dokumentimit do të vazhdojë.

“Pas çdo numri është një jetë e ndërprerë, një familje që pret drejtësi dhe një dhimbje që nuk është shuar kurrë. Pikërisht për këtë, dokumentimi i së vërtetës nuk është vetëm një detyrë institucionale, por edhe një obligim moral ndaj viktimave dhe brezave që vijnë”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka vlerësuar punën e stafit të Institutit, duke theksuar se secili rast po trajtohet me profesionalizëm dhe ndjeshmëri njerëzore.

Sipas Haxhiut, rithemelimi i Institutit me ligj të posaçëm kishte për synim krijimin e një institucioni të qëndrueshëm, me mandat të qartë për dokumentimin e krimeve të luftës.

“Instituti ka nisur ta krijojë evidencën zyrtare të viktimave, ndërsa puna duhet të vazhdojë me dokumentimin e masakrave, dëbimeve, dhunës seksuale, burgosjeve, torturave, varrezave masive dhe dëmeve të tjera të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës”, është shprehur Haxhiu.

Ajo ka theksuar se dokumentimi do të vazhdojë derisa çdo viktimë të identifikohet dhe çdo krim i luftës të dokumentohet në mënyrë zyrtare.

Postimi i saj i plotë:

Para disa ditësh, Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë paraqiti për herë të parë listën institucionale të viktimave të luftës. Janë dokumentuar gjithësej 12,230 viktima të luftës në Kosovë.

Lista është preliminare dhe puna vazhdon.

Pas çdo numri është një jetë e ndërprerë, një familje që pret drejtësi dhe një dhimbje që nuk është shuar kurrë. Pikërisht për këtë, dokumentimi i së vërtetës nuk është vetëm një detyrë institucionale, por edhe një obligim moral ndaj viktimave dhe brezave që vijnë.

E vlerësoj veçanërisht punën e stafit të Institutit, i cili përballet çdo ditë me materiale dhe dëshmi të rënda, duke e trajtuar secilin rast me kujdesin profesional dhe njerëzor që meriton.

Për vite të tëra, të dhënat ishin të shpërndara në arkiva të ndryshme, në dosje institucionesh e organizatash dhe në dokumentet që familjet i kishin ruajtur vetë.

Kur nisëm procesin e rithemelimit të Institutit, ishte e qartë se ai nuk duhej të ishte një strukturë e përkohshme, e varur nga vendime të çastit, por një institucion i qëndrueshëm me mandat të qartë dhe vazhdimësi. Për këtë arsye u themelua me ligj të posaçëm, duke e bërë dokumentimin e krimeve të luftës detyrim të përhershëm të shtetit.

Raporti i paraqitur këto ditë është dëshmia e parë e rëndësishme e këtij angazhimi. Instituti ka nisur ta krijojë evidencën zyrtare të viktimave, ndërsa puna duhet të vazhdojë me dokumentimin e masakrave, dëbimeve, dhunës seksuale, burgosjeve, torturave, varrezave masive dhe dëmeve të tjera të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës.

Kjo punë duhet të vazhdojë derisa asnjë viktimë të mos mbetet pa emër, asnjë krim pa u dokumentuar dhe e vërteta të mos mbetet vetëm në kujtesën e familjeve, por të zërë vendin që meriton në historinë dhe ndërgjegjen e shtetit tonë.