“Milani, Sacchi dhe finalja ndaj Brazilit”; intervista e fundit e zgjeruar e Franco Baresit

Në vitin 2020, në ditën kur mbushi 60 vjeç, Franco Baresi dha intervistën e tij të fundit shteruese për “Corriere dello Sport”. Legjenda e Milanit foli për kujtimet, njerëzit që ndikuan në karrierën e tij dhe momentet më të rëndësishme të një historie të jashtëzakonshme.

Për kuptimin e të qenit milanist, Baresi tha: “Milani është jeta ime. Erdha këtu adoleshent dhe sot, në moshën 60-vjeçare, jam më i pjekur dhe më i mençur. Me Milanin kam përjetuar shumë gjëra, si në fushë, ashtu edhe si drejtues. Kam takuar njerëz që më kanë rritur dhe formuar”.

Ai veçoi pesë figura që patën ndikim të madh tek ai: Rivera, Rocco, Liedholm, Berlusconi dhe Sacchi. Për Berlusconin tha: “Pata privilegjin ta kisha president për 30 vite. Ishte vizionar dhe solli mentalitetin fitues në një skuadër futbolli”.

Për Arrigo Sacchin shtoi: “Ai më kompletoi dhe më përmirësoi në shumë aspekte. Solli një kulturë tjetër pune dhe një mënyrë të re përgatitjeje të ndeshjeve”.

Duke kujtuar periudhën më të bukur, Baresi përmendi dy vitet e para me Sacchin; titullin e vitit 1988 dhe triumfin në Kupën e Kampionëve një vit më pas:
“Praktikonim një futboll të ri dhe ndryshe. Brenda pak kohësh arritëm majën e botës”.

Mbi zgjedhjen për të qëndruar te Milani, pavarësisht interesimit të Juventusit, tha: “Jam rritur në këtë klub dhe nuk e kam menduar kurrë largimin. Kur më bënë kapiten ishte një nder dhe motivim i madh”.

Duke folur për finalen e Botërorit 1994 ndaj Brazilit dhe penalltinë e humbur, Baresi u shpreh: “E doja shumë atë Botëror sepse isha kapiten, kisha shumë shokë të klubit me vete dhe Sacchi ishte trajner. Kur u dëmtova, morali im ishte në fund. Duhet të falënderoj shokët për mënyrën si e luajtën finalen. Penalltitë janë pjesë e lojës”.

Për “Topin e Artë” tha: “Isha pranë, por përpara meje ishte Van Basten në dy raste. Nuk kam keqardhje”.

Ndërsa për tërheqjen e fanellës me numrin 6 nga Milani kujtoi: “Ishte një gjest emocionues. Klubi më ka treguar gjithmonë mirënjohje. Berlusconi edhe atëherë ishte një hap përpara dhe i befasoi të gjithë”.

Për finalet e humbura të Champions League më 1993 dhe 1995 pranoi: “Ndoshta ajo ndaj Marsejës më dhembi më shumë. Milani meritonte më tepër, por në finale duhet të shkojë gjithçka mirë. Ndoshta ashtu ishte fati”.

The post “Milani, Sacchi dhe finalja ndaj Brazilit”; intervista e fundit e zgjeruar e Franco Baresit appeared first on Telesport.