Nuk kam thënë se gjysma e përfaqësuesve të LDK-së duhet ta lëshojnë partinë

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka reaguar ndaj raportimeve se kinse ka deklaruar se “gjysma e përfaqësuesve të LDK-së duhet ta lëshojnë partinë”, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Përmes një postimi në facebook, Manaj ka theksuar se një deklaratë e tillë nuk është bërë prej tij dhe ka nënvizuar se çdo përfaqësues i LDK-së përfaqëson një pjesë të anëtarësisë së partisë.

“Secili përfaqësues i LDK-së përfaqëson një pjesë të anëtarësisë sonë. Është krejt normale që brenda LDK-së të kemi bindje dhe qëndrime të ndryshme për proceset e brendshme dhe për zhvillimet politike në vend. Pikërisht kjo është demokracia që e karakterizon frymën dhe shpirtin e LDK-së.

Me shumicën prej tyre na lidh miqësia dhe respekti, edhe kur kemi mendime të ndryshme.

Në gjithë angazhimin tim kam punuar dhe do të vazhdoj të punoj që LDK-ja të jetë unike, e fortë dhe në shërbim të Republikës sonë. Ky është vizioni që duhet të na bashkojë të gjithëve. Një LDK e fuqishme është një Kosovë e fuqishme!

Së bashku, në shërbim të LDK-së dhe të Republikës sonë”, ka shkruar Manaj./IndeksOnline/