Shkruan: Gëzim Saraçi
Dihet mirëfilli se lufta jonë çlirimtare përveç si përballje ushtarake, ishte edhe përballje diplomatike dhe politike, andaj edhe inkuadrimi i liderëve të UÇK-së në jetën politike të pasluftës nuk përbën ndonjë anomali, sepse është vazhdimësi e një roli politik përmes të cilit ata realizuan çlirimin e vendit që për shumkënd konsiderohej i pamundur.
Luftëtarët e lirisë, në luftën e tyre çlirimtare, kishin në krah aleancën më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-n. Ky ishte rezultat i vizionit politik të udhëheqjes së tyre dhe, si i tillë, duhej të konsiderohej një atribut që i bënte ata edhe më të denjë për t’u përfshirë në jetën politike.
Propaganda kundër luftës dhe kundër luftëtarëve në vazhdimësi ka provuar ta zhvlerësojë sakrificën e luftëtarëve duke e relativizuar suksesin e tyre dhe duke e identifikuar luftën çlirimtare me gabimet e individëve. Është paradoksale që sapo lufta çlirimtare përfundoi me fitore, menjëherë filloi beteja e pareshtur kundër luftës dhe luftëtarëve çlirimtarë.
Në kontekstin e zhvillimeve politike, në vitet e para pas luftës, ajo kategori e shoqërisë që kishte mbështetur luftën, në masë të madhe u rreshtua në mbështetje të partive të dala nga lufta, kryesisht në PDK por edhe në AAK, ndërsa në anën tjetër u mblodh elektorati i LDK-së pacifiste që megjithatë orvatej të identifikohej me trashëgiminë e luftës, por duke vazhduar të mbetej kundërshtare e përbetuar e atyre që njiheshin si “komandantët në politikë”.
Në jetën e tyre politike pas çlirimit, “komandantët në politikë” arritën edhe një sukses të papërsëritshëm për vendin, shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
Më vonë, me ndryshimin e rrethanave politike, kur koalicionet politike nuk vareshin nga programet, dhe kur LDK-ja “detyrohej” të bashkëpunonte edhe me PDK-në, një pjesë e madhe e “elektoratit” të LDK-së, kryesisht ata që ishin në LDK për ta luftuar “krahun e luftës”, u orientuan drejt Lëvizjes Vetëvendosje, e cila tanimë u bë kundërshtarja më e fortë e “komandantëve në politikë”.
Në vazhdën e kësaj, “elektorati” që kundërshton “komandantët në politikë” e gjen veten aty ku vlerëson se mund t’i godas më shumë ata. Pra, herë në LDK e herë në LVV.
Rrjedhimisht, mund të ketë LDK të madhe apo LVV të madhe, por nuk mund të ketë, në të njëjtën kohë, edhe LDK të madhe edhe LVV të madhe. Këta nomadë politikë, kundërshtarë të liderëve të luftës, nuk janë pak në numër, dhe shpeshherë rreshtohen të bashkuar, varësisht se prej ku vlerësojnë se mund do t’i godasin më fortë kundërshtarët e tyre, komandantët. Aktualisht, këta nomadë politikë kanë zënë vend në LVV dhe duke qenë shumë në numër e mbajnë të madhe LVV-në.
Natyrisht, me të njëjtin kut nuk mund të maten ata aktivistë të LDK-së apo të LVV-së që janë në subjektet e tyre për bindje politike, apo që kanë mendim politik të tyre, apo qëndrojnë aty duke shpresuar t’i realizojnë idealet e tyre politike.
Edhe pse nomadizmi politik ndonjëherë buron nga bindja, jo rrallherë është edhe pasojë e interesave individuale. Ai mishërohet nga njerëz që politikën e shohin si burim privilegjesh. Sa herë që përfitojnë ata ndërrojnë strehën politike pa hezitim, ndërsa kur përfitimet shterojnë ata shndërrohen në kundërshtarë të zëshëm. Pas çdo lëvizje të tyre fshihen ambicie të parealizuara, xhelozi personale ose familjare dhe mungesa e guximit për të marrë armën kur atdheu thërriste.
Fatkeqësisht, realiteti politik ka dëshmuar se njerëzit në vendin tonë nuk rreshtohen gjithnjë prapa atyre që i duan apo që u besojnë, por rreshtohen diku vetëm për t’i kundërshtuar ata që nuk i duan. Në këtë drejtim, polarizimi është motivuesi më i fortë i tyre.
Zhvillimi teknologjik lehtëson zhvillimin e propagandës dhe përmes saj edhe thellimin e polarizimit, duke nxjerr në pah patriotët digjitalë dhe duke ua bërë të lehtë atyre të luftojnë kundër patriotëve dhe luftëtarëve realë.
Patriotët digjitalë lëre që nuk nderojnë sakrificën dhe nuk çmojnë asnjë vlerë të patriotëve realë, por ata shohin vetëm gabimet, të cilat patjetër që duhet të trajtohen, por jo të bëhen pretekst për të njollosur vlerat, e aq më pak luftën dhe luftëtarin e UÇK-së.
Vlera e luftës u përket luftëtarëve, ndërsa produkti i saj, LIRIA, i përket popullit dhe vendit.
UÇK janë luftëtarët, përfshirë edhe komandantët, andaj edhe propaganda që provon të denigrojnë çdo luftëtarë, duke provuar që ta godas secilin veç e veç, si të shkëputur nga tërësia, ka për qëllim ta luftojë luftën çlirimtare dhe luftëtarin e UÇK-së.
Lufta ndaj luftës dhe luftëtarëve do të hyjë në një fazë të re me shpalljen e vendimit ndaj krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.
Atë ditë, lufta e UÇK-së do të marrë vulën përfundimtare të historisë. Vendimi duhet të jetë lirues. Krerët e UÇK-së duhet të kthehen në vendin e tyre, pranë familjeve të tyre dhe të vazhdojnë rrugëtimin sipas vullnetit të tyre.
Në të kundërtën, lufta ndaj luftës dhe luftëtarëve do të hyjë në një fazë të ndjeshme, ku pasojat do të jenë të pashmangshme dhe gjurmët e tyre do të mbeten si nishan në ndërgjegjen e drejtësisë ndërkombëtare, por, gjithsesi, edhe në ndërgjegjen e një pjese të konsiderueshme të shoqërisë.








