FIFA publikoi këtë të enjte një komunikatë zyrtare për të sqaruar se projekti “FIFA Forward Enterprise” (FFE) nuk synon të shesë futbollin apo të heqë dorë nga kontrolli i qeverisjes së tij. Reagimi erdhi pas kritikave të forta nga konfederata si UEFA dhe CONCACAF, të cilat e kundërshtuan njëzëri projektin.
Organizata e drejtuar nga Gianni Infantino deklaroi se respekton komentet dhe shqetësimet e shprehura publikisht, duke riafirmuar angazhimin për një proces konsultimi të hapur dhe demokratik. Megjithatë, FIFA u shpreh se “informacioni i pasaktë i publikuar në media ndërpreu procesin e konsultimit” dhe theksoi se ai do të vazhdojë, në mënyrë që çdo federatë anëtare të votojë mbi bazën e fakteve.
Në komunikatë nuk mungoi një thumbim i drejtpërdrejtë ndaj futbollit europian: “Asnjë entitet nuk mund të pretendojë se përfaqëson 211 federatat anëtare të botës”. Sipas FIFA-s, iniciativa synon vetëm të përmirësojë menaxhimin tregtar të kompeticioneve për të gjeneruar më shumë të ardhura, të cilat më pas do të shpërndahen mes të gjitha 211 federatave anëtare.
Organizata ritheksoi se krijimi i FFE do të ecë përpara vetëm nëse mbështetet nga shumica e federatave. Gjithashtu, konfirmoi se çdo federatë do të përfitojë 20 milionë dollarë nga programi “FIFA Forward” për periudhën 2027-2030, ndërsa programi shtesë “Fast Forward”, gjithashtu me vlerë 20 milionë dollarë, do të jetë vullnetar dhe do të financohet nga investitorë të jashtëm, pa cenuar kontrollin e FIFA-s.

FIFA nënvizoi se do të mbajë ekskluzivisht kontrollin mbi kalendarët, rregulloret dhe të gjitha vendimet sportive, ndërsa projekti do të zbatohet vetëm nëse miratohet nga shumica e federatave në Kongresin e ardhshëm të FIFA-s. Në deklaratë thuhet: “Askush nuk po shet futbollin. Kjo është diçka që FIFA nuk do ta konsideronte kurrë”.
Organizata shtoi se çdo federatë duhet të ketë mundësinë të shqyrtojë propozimin dhe të marrë pjesë në vendimmarrjen për të ardhmen e saj, duke e cilësuar këtë si një nga parimet demokratike të FIFA-s. Propozimi fillestar për shitjen e 20-30% të të drejtave tregtare te fonde private si “Thrive Capital” shkaktoi reagime të ashpra në futbollin botëror.
Pas një mbledhjeje urgjente virtuale, 55 federatat anëtare të UEFA-s nënshkruan një deklaratë të përbashkët, duke kërcënuar se do të tërhiqnin të gjitha kombëtaret e tyre nga turnetë e FIFA-s nëse projekti i privatizimit do të vazhdonte. Edhe CONCACAF zyrtarizoi kundërshtimin e saj të plotë me një komunikatë të veçantë.
The post FIFA i përgjigjet UEFA-s me mesazh të drejtpërdrejtë: “Askush nuk përfaqëson 211 federatat e botës” appeared first on Telesport.








