Plani i Infantino tani është bërë i ditur. Qëllimi është i gjerë dhe nuk është më i negociueshëm: të shitet një pjesë e Kupës së Botës fondeve private të investimeve për të përfituar miliarda përmes FIFA Forëard Enterprise (FFE) të sapoformuar, kompania tregtare që do të menaxhojë të drejtat e Kupës së Botës së Kombeve dhe Klubeve.
Ndër palët e interesuara është banka amerikane e investimeve JP Morgan, me përfshirjen e Thrive Eternal, një fond i udhëhequr nga Joshua Kushner (vëllai i Jared, dhëndrit të Donald Trump).
Pas polemikave nga qarqe të ndryshme të futbollit dhe politikës, duke filluar nga UEFA, Infantino është rilançuar. Në një letër dërguar të gjitha 211 federatave anëtare, presidenti ka bërë kërcënime (megjithëse të fshehura). Mesazhi është shumë i qartë: ata që bashkohen me projektin FFE do të marrin menjëherë një çek të vetëm prej 20 milionë dollarësh, me kontribute vjetore për katër vitet në vijim që do të rriten ndjeshëm nga 2 milionë dollarë në 5 milionë dollarë.
Një lumë parash që shumë organizata të vogla do ta kenë të vështirë ta refuzojnë. Megjithatë, për ata që vendosin të pengojnë, çmimi që duhet paguar është i lartë: një ulje e menjëhershme prej 75% e fondeve të FIFA-s. Një kërcënim i vërtetë “merre ose lëre”.
Numërimi mbrapsht ka filluar tashmë. Ultimatumi i Infantinos skadon më 19 shtator, pak para ndeshjeve të ekipeve kombëtare. Federatat kanë vetëm disa javë për të zgjedhur se cilën anë të mbajnë: t’i përulen “FIFA-s së të pasurve” ose të rrezikojnë një ngrirje të fondeve. Lufta për kontrollin e futbollit botëror sapo ka filluar.
The post FIFA në “kundërsulm”, Infantino letër Federatave: Me mua ose nuk do të merrni asnjë qindarkë appeared first on Telesport.








