Shkëndija vazhdon sigurt, kualifikohet në raundin tjetër të Ligës së Konferencës

Shkëndija ka arritur kualifikimin tutje në Ligën e Konferencës.

Ekipi tetovar arriti me sukses të kalojë raundin e dytë kualifikues, duke e eliminuar ekipin nga Sllovenia, Bravo.

Kuqezinjtë ishin në disavantazh nga ndeshja e parë 2:1, kurse sonte në Shkup triumfuan 3:1 për të avancuar në raundin e tretë.

Por, nuk ishte e lehtë për Shkëndijën, që e pa veten në disavantazh në minutën e 17-të, kur Stankovic realizoi.

Në minutën e 36-të, një autogol i Jovan barazoi rezultatin, e që qëndroi deri në fundin e pjesës së parë.

Kryeziu kaloi vendasit në epërsi në minutën e 50-të të takimit, kurse në minutën e 88-të, Gjorgjievski realizoi për t’ia siguruar Shkëndijës kualifikimin tutje.

Në raundin e tretë kualifikues, Shkëndija do të përballet me fituesin mes ekipit kosovar, Malisheva dhe atij skocez, Hibernian.