Neymar ka konfirmuar zyrtarisht pensionimin nga kombëtarja e Brazilit pas një fushate zhgënjyese në Kupën e Botës 2026, nën drejtimin e Carlo Ancelottit.
Ylli i Santosit shfrytëzoi rastin për t’iu kundërpërgjigjur edhe raportimeve të fundit në media, sipas të cilave ai kishte pasur sjellje të papërshtatshme ndaj bashkëlojtarëve më të rinj në dhomën e zhveshjes së klubit nga Vila Belmiro.
Neymar ka bërë të ditur se aventura e tij me kombëtaren ka përfunduar pas eliminimit të Brazilit në fazën e 1/8 së finales së Botërorit 2026 nga Norvegjia.
Duke reflektuar mbi karrierën e tij të gjatë dhe të mbushur me momente të rëndësishme me fanellën e famshme të verdhë, 34-vjeçari insistoi se nuk ka asnjë pendesë për kontributin e dhënë për kombëtaren, pasi për vite me radhë mbajti mbi supe shpresat e një kombi të tërë.
“Koha ime me kombëtaren ka përfunduar. Kam bërë histori, kam qenë shumë i lumtur, kam dhënë gjakun dhe jetën time. Gjithmonë kam luftuar për fanellën e verdhë, por tani nuk dua më”, ka deklaruar Neymar.
Vendimi i tij shënon fundin e një epoke për futbollin brazilian, pasi golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit do ta përqendrojë të gjithë vëmendjen te futbolli në nivel klubesh me skuadrën e tij të fëmijërisë, Santosin.
Konfirmimi përfundimtar erdhi pas një momenti emocional në “MetLife Stadium” në Neë Jersey, ku Neymar u pa në lot pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës.
Pavarësisht se realizoi një penallti në sekondat e fundit të ndeshjes, ish-ylli i Barcelonës nuk mundi ta përmbante zhgënjimin, pasi rrugëtimi i tij 16-vjeçar me kombëtaren u mbyll në mënyrën më të dhimbshme.








