Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, së bashku me nënkryetarin Bakir Burri dhe anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Samir Ujkani, kanë pritur sot në takim delegacionin e FC 2 Korrikut dhe futbollistët e grupmoshës U15, pas suksesit të jashtëzakonshëm të arritur në turneun prestigjioz ndërkombëtar Gothia Cup 2026 në Suedi.
Në këtë takim, drejtuesit e FFK-së kanë përgëzuar futbollistët, trajnerët dhe stafin e klubit për paraqitjen e shkëlqyer, duke vlerësuar lart organizimin dhe punën profesionale të FC 2 Korrikut, një klub që prej vitesh është ndër kontribuuesit më të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit të të rinjve në Kosovë.
Presidenti Ademi ka theksuar se arritja e ekipit në Gothia Cup është një dëshmi e potencialit të madh që ka futbolli kosovar. Nga 252 ekipe pjesëmarrëse në kategorinë B15, FC 2 Korriku arriti të renditet në mesin e 8 ekipeve më të mira, duke zhvilluar një kampanjë mbresëlënëse me pesë fitore radhazi dhe duke dëshmuar nivel të lartë sportiv.
Një vlerësim i veçantë iu bë edhe promovimit të kulturës dhe identitetit kombëtar. FC 2 Korriku u shpall fitues i çmimit “Best Outfit Award 2026” për paraqitjen me veshje tradicionale shqiptare në ceremoninë hapëse të turneut, duke bërë që emri i Kosovës të prezantohej denjësisht përballë ekipeve nga 79 shtete të botës.
Si rezultat i këtij prezantimi të veçantë, 18 futbollistë të FC 2 Korrikut do të kenë mundësi të marrin pjesë pa pagesë në edicionin e ardhshëm të Gothia Cup, një tjetër dëshmi e vlerësimit të madh që mori klubi nga organizatorët e këtij turneu.
“Na vjen mirë për sukseset që keni arritur. Duke e ditur organizimin dhe nivelin e lartë të klubit tuaj, ky rezultat nuk është i rastësishëm. Gothia Cup është një ngjarje që zhvillohet prej shumë vitesh dhe të renditesh në mesin e 8 ekipeve më të mira nga 252 pjesëmarrëse është një arritje e madhe. Përveç futbollit, keni treguar nivel të lartë edhe në promovimin e kulturës sonë përmes veshjeve tradicionale, për çka edhe jeni shpërblyer me pjesëmarrje falas për 18 futbollistë në edicionin e ardhshëm. Ju falënderojmë për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës dhe ju sigurojmë se mbështetja e FFK-së për zhvillimin e futbollit të të rinjve nuk do të mungojë”, ka thënë presidenti Ademi.
Në emër të FC 2 Korrikut, Shaban Baholli ka falënderuar presidentin Ademi për pritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që Federata e Futbollit të Kosovës i ka dhënë klubit.
“Ju falënderojmë për këtë pritje dhe për përkrahjen që kemi pasur gjithmonë prej jush. Është kënaqësi të kemi afër vetës njerëz që kontribuojnë për zhvillimin e futbollit në Kosovë”, ka thënë Baholli.








