Zgjedhja e Malagòs për t’ia besuar Roberto Mancinit dhe Claudio Ranierit ringritjen e kombëtares italiane nuk është pritur mirë nga Liga e Serie A. Presidentët e klubeve të elitës “kanë mbetur të shtangur”, shkruan “Corriere della Sera”, duke raportuar edhe disa reagime.
“Ka qenë triumfi i romanitetit dhe i klubit Aniene”, – është shprehur dikush, duke theksuar se klubi historik romak, ku Ranieri është anëtar, bashkon numrin një të Federatës Italiane dhe trajnerin e ri të kombëtares.
Dikush tjetër ka qenë edhe më i ashpër: “Një zgjedhje në emër të miqësive, padelit dhe futbollit të vogël”. Liga Serie A, e cila kishte mbështetur zgjedhjen e Malagòs, është ndier e befasuar, me disa klube të zemëruara.
Klubet kishin qenë gati të ndihmonin financiarisht për Antonio Conten, i cili nuk u kontaktua kurrë realisht. Presidenti Simonelli nuk e kundërshton zgjedhjen e Mancinit për aspektin teknik, por kritikon mënyrën se si u arrit rikthimi i ish-trajnerit të Interit dhe Manchester City.
Megjithatë, Liga më pas u shpreh në shenjë përgjegjësie, duke i uruar Mancinit dhe Ranierit sukses dhe bërë thirrje për unitet e bashkëpunim për ta rikthyer Italinë në nivelet që meriton.
The post Mancini trajner i Italisë, Serie A e zhgënjyer dhe e befasuar: “Lindi kombëtarja e miqësive dhe… padelit” appeared first on Telesport.








