Kurti theksoi se mërgata nuk përfaqëson vetëm qytetarët që jetojnë jashtë vendit, por është vazhdimësi natyrore e jetës kombëtare dhe zgjerim i Kosovës përtej kufijve.
Ai shtoi se angazhimi i diasporës nuk do të mbetet në margjinat e politikave shtetërore, por do të përfshihet në të gjitha politikat publike dhe në proceset e vendimmarrjes, duke theksuar se shteti ka detyrim t’u shërbejë qytetarëve të tij njësoj, brenda dhe jashtë vendit.
Postimi i Kurtit:
Përveçse përherë të përzemërta, takimet me mërgatën gjithmonë na mbushin plot energji, na frymëzojnë, si dhe na e rikujtojnë historinë tonë të dhimbshme dhe përgjegjësinë që kemi ndaj brezave të rinj. Andaj, sonte pata nderin e kënaqësinë të mirëpres e të bisedoj me bashkatdhetarë në Ballkonin e Hapur të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Për ne, mërgata nuk përfaqëson vetëm një bashkësi individësh që jetojnë jashtë kufijve shtetëror. Ajo është vazhdimësi natyrore dhe vlerë shoqërore e jetës sonë kombëtare dhe zgjerim i Kosovës e i shqiptarisë përtej kufijve, në ato vende ku ruhen gjuha, zakonet dhe përkatësia. Qasja jonë ndaj diasporës mbështetet në frymën e solidaritetit dhe shërbimit. Synojmë që çdo shqiptar jashtë atdheut të ndihet i dëgjuar dhe i lidhur me vendin e tij, jo vetëm përmes kujtesës, por edhe përmes mundësive konkrete. Shteti ka detyrimin t’i shërbejë qytetarëve të tij, brenda dhe jashtë vendit, me të njëjtën përgjegjësi dhe kujdes.
Angazhimi i mërgatës nuk do të mbetet në margjinat e politikës shtetërore, por do të përfshihet në të gjitha politikat publike si një bosht i mendimit tonë zhvillimor dhe kombëtar, me pjesëmarrje e në vendimmarrje.








